“KOHA ËSHTË E MASKARENJVE, PO ATDHEU I SHQIPTARËVE!”
Agim Vinca
I nderuar profesor Sokol Sadushi,
Të dashur vëllezër dhe motra nga Vajza, Vlora dhe gjithë Shqipëria,
Zonja dhe zotërinj!
Në pamundësi që të jem sot në mesin Tuaj, në ceremoninë e përurimit të bustit të poetit Ali Asllani, dëshiroj t’ju përshëndes me dy fjalë.
Bashkëfshatari Juaj, Ali Asllani, është një nga poetët më të shquar të letërsisë shqipe. Me vargjet e tij, që zunë fill këtu, në këtë fshat, Ai ngriti lart bukurinë e gjuhës shqipe dhe krenarinë e të qenit shqiptar.
Aliu këndoi për Vajzën, për Vlorën, për Labërinë dhe për gjithë Shqipërinë. Andaj, ashtu si pararendësit e tij të mëdhenj: Naimi me shokë, ai është poet që i takon mbarë kombit dhe jo vetëm krahinës nga vjen.
Motra dhe vëllezër vajzjotë,
Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë: në fshatin nga vij unë, në Veleshtën time rebele buzë Drinit të Zi (sot nën Maqedoni), fshatarët e njihnin Ali Asllanin dhe dinin përmendsh vargje të tij. Më të zgjuarit i deklamonin ato në ndeja e kuvende.
Dhe kur një poet e njohin jo vetëm shkollarët, por edhe fshatarët, kjo tregon sesa thellë ka depërtuar ai në jetën e popullit që i përket; sesa është mishëruar me njerëzit e gjuhës dhe të gjakut të vet.
Sikurse të gjithë poetët shqiptarë, Ali Asllani shpreh dëshirën e bashkëkombësve të tij për të jetuar të lirë në tokën e tyre; në këtë vend që e cilëson me fjalët: “zot me pushkë e zot me pendë”.
Në vitin 1920, kur filloi Lufta e Vlorës, poeti që i këndoi me aq delikatesë dashurisë, lëshoi kushtrimin për mbrojtjen e qytetit pararojë të Atdheut, Vlorës: “Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ rroki armët, bëja fora” dhe “Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ bjeri, moj, të lumtë dora!”.
Dy herë në jetë do të jetë Kryetar i Bashkisë së qytetit të Pavarësisë, kurse në Qeverinë e Ismail Qemalit ushtroi detyrën e Kryesekretarit.
Ali Asllani ishte poet përgjithësisht i butë e lirik, por dinte edhe të hakërrehej kur e donte puna.
Sot, kur shoqëria shqiptare përballet me probleme të shumta, ndër të cilat edhe pasurimi marramendës i një kaste njerëzish në kurriz të popullit, tingëllojnë tejet aktuale vargjet e poezisë “Hakërrim”, të shkruara në vitet ‘40, në kohën e okupimit fashist, ku thuhet: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka,/ të pabrekë ju gjeti dreka/ milionerë ju gjeti darka”.
Sa herë që dëshpërohemi me atë që na shohin sytë dhe na dëgjojnë veshët, gjë që ndodh shpesh, ngushëllim gjejmë te vargu: “Koha është e maskarenjve, po atdheu i shqiptarëve!”.
Në kujtesën e lexuesve shqiptarë, adhuruesve të poezisë së tij, Ali Asllani do të mbesë si lirik i dashurisë, i natyrës shqiptare, i zakoneve arbërore dhe i një personazhi të paharruar, çfarë është protagonistja e poemës së famshme homonime, Hanko Halla.
Vepra e Ali Asllanit është botuar, lexuar dhe studiuar gjerësisht në Kosovë. Për të janë hartuar edhe tema të magjistraturës dhe doktoratës, kurse emrin e tij e mbajnë edhe institucione kulturore e arsimore në Kosovë e Maqedoni.
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se shkolla 9-vjeçare e fshatit Doganaj të qytetit që “vritet e pritet për Flamur”, Kaçanikut, mban emrin e Ali Asllanit. Jam i lumtur që në rininë time kam punuar një vit mësues në këtë shkollë, atëherë me tjetër emër, duke ndikuar sadopak që ajo ta marrë emrin e poetit vlonjat.
Të nderuar të pranishëm në ceremoninë e përurimit të bustit të Ali Asllanit,
Njerëzit që nderojnë poetët, nderojnë veten!
Duke nderuar sot birin e fshatit tuaj dhe të Labërisë trime, poetin e shquar Ali Asllani, ju tregoni dashurinë për atdheun dhe vlerat e tij sipërore. Nga sot e tutje busti i poetit, vepër e artistit të merituar, skulptorit Muntaz Dhrami, do të stolisë sheshin e fshatit, duke e bërë kështu më të dashur për banorët dhe më tërheqës për vizitorët.
Urime për këtë gjest frymëzues e mbresëlënës në prag të festës së madhe të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Gëzuar!
Prishtinë, 22 nëntor 2019
(Fjalë e lexuar në ceremoninë e përurimit të bustit të poetit Ali Asllani në fshatin Vajzë të Vlorës më 23 nëntor 2019)