Koha kur Lëvizja kundërshtonte prodhimet e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi (Dokument)
“Në kulmin e fushatës antishqiptare të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit për të hequr autonominë e Kosovës, në kohën kur minatorët e Trepçës filluan grevën e përgjithshme dhe u shndërruan në strumbullar të mobilizimeve për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona kombëtare, më 27 shkurt 1989, në Pallatin “Cankariev Dom” të Lublanës, mbi 400 mijë sllovenë nënshkruan peticionin në mbrojtje të Kosovës. Ky solidaritet i paparë deri në atë kohë e tërboi regjimin e Beogradit. Të gjitha institucionet republikane dhe partiake të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi sollën vendim që të bojkotohen mallërat e Sllovenisë. Në këtë kontekst historik, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e vetmja organizatë atdhetare shqiptare e asaj kohe që vepronte në klandestinitet, lëshoi komunikatë përmes të cilës kërkonte nga të gjithë shqiptarët që të bojkotonin mallërat e Serbisë, Maqedonisë dhe të Malit të Zi”, kështu është përgjigjur politologu Bardhyl Mahmuti gjatë intervistës për gazetën “Epoka e re“, në pyetjen tonë: ….në cilën kohë para luftës çlirimtare të Kosovës dhe kush ka ndërmarrë iniciativë për bojkotin e produkteve serbe?
Gjurmëve të kësaj përgjigjeje, e kërkuam për ju lexues të nderuar komunikatën në fjalë, të lëshuar më 29 mars 1989, nga parararëndësja e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK).
-Të shkruhen parulla patriotike kudo dhe në çdo kohë që është e mundur
-Të bëhet sabotazh ekonomik në çdo formë, si ndërprerja e rrymës, për fabrika e miniera që mos të prodhojnë lëndë të para për Serbinë, të prishen largpërçuesit që eksploatojnë rrymën tonë për Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, etj.
-Të sabotohen mallërat nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Këto janë 3 nga 9-të pikat e Komunikatës përmes së cilës kundërshtohen mallërat serbe, malazeze dhe maqedone, të cilat hedhin dritë mbi rezistencën tonë dhe kundërshtimin ekonomik të Kosovës edhe përmes refuzimit dhe luftimit të prodhimeve të Beogradit, Shkupit dhe Titogradit, nga të cilët po shtypej populli shqiptar.
Komunikata është përpiluar nga tre prej drejtuesve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), Afrim Zhitia, Fadil Vata dhe Bardhyl Mahmuti dhe është shpërndarë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.