KOHA KUR SHQIPTARËT DËNOHESHIN ME PUSHKATIM

24 tetor 2018 | 10:57

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Procesi Gjyqësor i Prizrenit më 1946. Para trupit gjykues dolën 34 patriotë të cilëve gjyqi ua shqiptoi dënimet: 6 veta i dënoi me pushkatim, të tjerët me vite të shumta burg)

Kur Kosova ende përpëlitej për jetë o vdekje, kur ajo ende nuk kishte dalë nga lufta, kur ende shumë gjëra nuk kishin kuptimësinë dhe rëndësinë e tyre të vërtetë, okupuesi dhe bandat e tyre ndjellakeqe, nguteshin që në atë kohë të mjegullt t’i qëronin hesapet me popullin liridashës shqiptar. Tamam ashtu edhe siç kishte porositur e paraparë Vasa Qubrilloviqi në elaboratet e veta 1-2, në të cilat thoshte se koha më e përshtatshme për t’i asgjësuar shqiptarët është koha e luftës dhe ditët e para, pas përfundimit të saj. Kështu edhe kishte ndodhur më 1945 e në vitet në vijim.

Ishte 27 shtatori i vitit 1945. Në Gjyqin Krahinor të Kosovës e Metohisë (kështu quhej atëherë Gjykata e Kosovës, shënim S. K-B). Në emër të popujve të Jugosllavisë, dolën para trupit gjykues dhe pritnin t’u shqiptohej dënimi, 34 atdhetarëve. Tani nga kjo distancë kohore, të kapë tmerri vetëm të numërohet deri tek numri 34, e mos të flasim ata numra t’i shndërrosh në emra atdhetarësh, që në çdo moment pritej t’u shqiptohej dënimi, e ata assesi ta dinin se me çfarë vitesh të mëdha burgu do të përballeshin e dënoheshin.

Në një dosje, të ruajtur mirë nga arkivistët e Arkivit të Kosovës, me trishtim shpalosi faqe për faqe, dhe me drojë se mos diçka e rëndësishme do më të ikë, se diçka do të më shpëtojë pa e parë dhe pa e regjistruar ashtu siç duhej dhe siç e meritojnë atdhetarët e devotshëm të çështjes kombëtare. Lexoj me kujdesin më të madh dhe pa hezituar shënoi çdo detaj nga dosja.

Por, para se të ndalesha tek aktvendimi përfundimtar që e paraqet Gjykata Popullore Krahinore në Prizren, do të prezantoja tek procesi i arrestit dhe tek ngritja e aktpadisë që e ngre vetë Spasoje Gjakoviqi, që në atë kohë ishte major i OZN-së. Ai kishte urdhëruar që grupi i përbërë prej 34 vetave të arrestohet dhe të dalë para gjyqit. Ai i akuzonte se këta persona edhe para luftës, gjatë luftës dhe menjëherë pas përfundimit të saj, kanë kryer vepra penale që bien ndesh me popullin dhe shtetin.

Ngritja e aktpadisë nga Spasoje Gjakoviqi

Në ngritjen e aktpadisë ai shkruan se me vetëdije të lartë ky grup i shqiptarëve formon organizatën ilegale Nacional Demokratike Shqiptare në Prizren, duke bërë organizimin në bazë të formimit të Komitetit Qendror si dhe të komiteteve të rretheve, qyteteve, komunave dhe duke i formuar edhe në të gjitha fshatrat ku kishte mundësi formimi. Gjakoviqi në aktpadinë e ngritur theksonte se fajtori kryesor i tërë këtij aktiviteti pa dyshim se ishte tregtari i njohur nga Gjakova, porse jetonte në Kukës, Shqipëri, ishte Halim Spahija-Shaqiroviq, (ai kishte harruaar se emri i babait të Halim Spahisë ishte Shaqiri, e nuk kishte kurrfarë lidhje me shtesën e përdhunshëm “viq” ( SK-B).

Mbi katërmbëdhjetë faqe mbante aktpadia që sulmonte atdhetarët, por është befasuese se edhe më vonë në Prokurorinë Publike Popullore, porse edhe në Gjykatën Popullore Krahinore, nuk ndryshonin shumë aktakuzat dhe sulmet ndaj të burgosurve.

Në aktpadinë e Spasoje Gjakoviqit mungonte emri i Basrija Sallkoviqit, por në dokumentacionin e arkivit ruhej një shkresë tjetër me të cilën autorizohet Prokuroria Publike për Kosovë, me shkresën nr. 850, më 6. 9. 1945, që më vonë edhe ai të paraqitet në gjyq së bashku me grupin Nacional Demokratik Shqiptar. Edhe Sallkoviqi akuzohej se, sikurse shokët e vet, kishte kryer vepra “penale” e “armiqësore” ndaj popullit e shtetit të vet. Çfarë ironie, Jugosllavia ishte shteti i tij, sipas Gjakoviqit antishqiptar.

Nën 1. akuzohej se kishte pranuar kryerjen e detyrave nga Tahir Deda, për t’i formuar komitetet e rretheve të NDSh-së, në tërë Kosovën, si në Podujevë, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan, në Kaçanik dhe në Lipjan. Sipas shënimeve që kishte arritur t’i siguronte Gjakoviqi, ai ishte i paraparë të jetë anëtar i Komitetit Qendror të NDSh-së në Prizren.

Nën 2. edhe ky mban përgjegjësinë sikurse edhe të tjerët për aktivitetin e zhvilluar kundërshtetëror.

Nën 3. kishte marrë pjesë aktive në formulimin e instruksioneve kryesore për punën e Komitetit Qendror, së bashku me Tahir Dedën, e sidomos kontribut të madh kishte dhënë në pikën ku flitej për lidhjet e komitetit me qetat ushtarake balliste që vepronin në male. Pason nënshkrimi i njëfarë oficerit të OZN-së, major, nënshkrimi ishte në çirilic, N. Jokiq (kështu disi).

Procedura e hetuesisë nga udbashët

Pas arrestimit të atdhetarëve, kishte filluar procedura e marrjes në pyetje të të burgosurve. Kjo etapë për të burgosurit ishte edhe periudha më e vështirë e burgut. Në këtë kohë të burgosurit njëri pas tjetrit merreshin në pyetje, por njëherë edhe ishte periudha kur ndaj të burgosurve përdorej dhuna dhe torturat e ndryshme. Fillonin me kërcënime verbale për të kaluar në rrahje e deri në likuidimin fizik të tyre. Në hetuesi përdornin metoda të ndryshme duke i zgjuar me rrëmbim nga gjumi e deri në orët e imta të natës. Ndodhte edhe kjo kur i burgosuri kishte përfunduar hetuesinë në orën një pas mesnate dhe porsa rehatohej në qeli, ndodhte pas një ore të ndodhte që pesë e gjashtë gardianë vinin dhe e merrnin duke i thënë se hetuesia vazhdon. Shpesh ka ndodhur kur i burgosuri nga lodhja e rraskapitja ka pranuar gjera që kurrë nuk i kishte bërë dhe as që kishte dëgjuar për to. Ose kur lodhej i burgosuri nga rrahjet e gardianëve, pa e lexuar fare i jepnin që ta nënshkruante deklaratën që ai në kushtet normale kurrë nuk do ta nënshkruante.

Duhet thënë se për një kohë shumë të shkurtër në hetuesi u morën të gjithë anëtarët e grupit që ishin arrestuar, u morën nga disa herë duke përdorur një arsenal të tërë torturash.

Në hetuesi i pari u mor i akuzuari Halim Spahia. Pesë herë u mor në pyetje duke mos llogaritur marrjen në pyetje për ta plotësuar hetuesinë si dhe ballafaqimin me të burgosurit e tjerë. Hera e parë që u mor në pyetje ishte më 6 korrik 1945, hera e dytë më 21 korrik 1945, hera e tretë më 25 korrik 1945, hera e katërt më 13 gusht 1945 dhe hera e pestë më 29 gusht 1945. Dhe disa herë ishte marrë për plotësimin e hetuesisë dhe kishte pasur një sërë ballafaqimesh me të burgosurit e tjerë, anëtarë të organizatës.

I arrestuari i dytë, Xhemil Fluku, katër herë ishte marrë në hetuesi. Edhe ky sikurse Halim Spahija kishte pasur plotësim të hetuesisë dhe ballafaqime me të burgosurit e tjerë. Fluku u mor në hetuesi më 2 e 4 korrik 1945 dhe më 27 gusht e 3 shtator 1945; Ahmet Dërguti merret 4 herë në pyetje. Në hetuesi u mor më 1, 2 e 3 korrik dhe 3 shtator 1945; Kajtaz Ramadani u mor në pyetje më 2 e 3 korrik 1945. Rifat Krasniqi u mor në pyetje dy herë. Më 9 korrik 1945 dhe 30 gusht 1945; Basri Sallkoviqi-Boshnjaku u mor në pyetje një herë, më 30 gusht 1945. Fehim Ibrahimi u mor në pyetje më 9 qershor 1945; Abdullah Rexhepit u mor në pyetje tri herë, më 28 qershor 1945, më 2 e 3. 9. 1945; Ibrahim Feimi u mor në pyetje më 3. 9. 1945; Hasan Rrustemit u mor në pyetje 4 herë. Më 9. 7. 1945, më 13 korrik 1945, me 28. 7 1945 dhe më 2. 9. 1945; Tahir Deda nga të gjithë të burgosurit u mor më së tepërmi në pyetje (mbi 16 herë). Për herë të parë u mor më 3, 4, 8, 9, 10, 13, 24. 27 korrik 1945, më 3, 6, 8 gusht 1945. Abdullah Hamza-“Palaqo” u mor në pyetje 2 herë: më 1 korrik 1945 dhe më 25 gusht 1945; Sinan Hazëri u mor në pyetje më 1 e 4 korrik 1945. Kishte vazhduar hetuesinë më 23. 8. 1945; Sefedin Ahmeti u mor tri herë në pyetje: më 27 korrik 1945, më 24 e 27 gusht 1945; Abdullah Hajrullahu u mor në pyetje më 30. 6. 1945, më 24. 7. 1945 dhe më 27. 8. 1945; Muhamet Veseli u mor në pyetje më 30. 7. 1945 dhe më 5. 8. 1945; Ibrahim Avdyli u mor në pyetje më 5. 6. 1945 dhe më 5. 8. 1945; Sadik Peqani u mor në pyetje më 6. 7. 1945; Qamil Jemini u mor në pyetje më 6. 7. 1945, më 5. 8. 1945; Maliq Bakija-Hoxha u mor në pyetje katër herë: më 3, 5, 22 e 30. 7. 1945, e 3 shtator 1945; Rexhep Abdullah Kabashi u mor në pyetje më 25 korrik 1945, më 3, 10 gusht 1945 dhe më 3. 9. 1945; Kadri Ramadani “Topalli” u mor në pyetje më 24 korrik 1945, më 6, 21 dhe më 28. 8. 1945. Në ballafaqim Laura dhe Kadri Ramadani-Topalli, mungon deklarata; Ruzhdi Kabashi merret në hetuesi më 10 korrik 1945, më 4. 9. 1945; Vahid Mustafa merret në hetuesi më 2 korrik 1945; Sheh Mujedini merret në hetuesi më 2 korrik 1945. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA me prejardhje nga Shala e Bajgorës, prandaj…