Koha kur Thaçi u shkruante ndërkombëtarëve për të kërkuar lirimin e Kurtit nga burgu

02 maj 2021 | 13:37

Gjykata Speciale ka refuzuar që ta lirojë që të mbrohet në liri ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësit tjerë ushtarakë të kësaj ushtrie. Por, në vendimin e publikuar së fundmi, të akuzuarve u hapet një rrugë tjetër për t’u mbrojtur në liri në të ardhmen.

Sipas gjyqtarit Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit dhe të tjerëve t’u pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm dhe të mbrohen në liri.

Një artikull i vitit 2001, dëshmon për kohën kur Hashim Thaçi si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kishte kërkuar lirimin nga burgu të tash kryeministrit Albin Kurti. Këtë kërkesë, Thaçi ua bënte liderëve të fuqishëm politikë botëror.

Ai u kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit, Kolin Pauell, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kërkojmë nga autoriteti Juaj që të shfrytëzoni influencën e shtetit që përfaqësoni me qëllim që të lirohen sa më parë liderët e lëvizjes studentore, Nait Hasani dhe Albin Kurti si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë shqiptarët”, thuhej në letrën e Thaçit të vitit 2001, të publikuar në të përditshmen “Zëri ditor”.

Nëpërmjet të së njëjtës letër, Thaçi kishte kërkuar edhe për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

“Fjala është për absurditetin që karakterizojnë vendimet e autoriteteve të reja të Beogradit në vazhdimin e mbajtjes në burgjet serbe të qindra shqiptarëve dhe refuzimin e dhënies së informative për mijëra të tjerë që konsiderohen të zhdukur, veçanërisht intelektualin e mirënjohur Ukshin Hoti”, kishte shkruar Thaçi.

Hisen Berisha, ish-komandant i UÇK-së në Koshare dhe ish-kandidat për deputet nga radhët e PDK-së ka thënë së fundmi se presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në mënyrë që ata të mbrohen në liri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ua ka uruar të gjithë…