Koha me pa veten në pasqyrë
Shkruan: Blerim Latifi
E lexova intepretimin e Halil Matoshit për largimin e të rinjëve nga Kosova. Edhe disa reagime ndaj këtij interpretimi.
20 vite pas çlirimit nuk është punë e mençur që problemet tona të vazhdojmë t’i shpjegojmë me idenë e konspiracioneve të mëdha kundër nesh. Kjo ide është mbetje e mentalitetit totalitar, në të cilin dështimet e brendshme gjithmonë shiheshin si veprime subverzive të armikut të jashtëm. Me këtë nuk dua të mohoj përpjekjet e Serbisë për të minuar shtetin e Kosovës, përpjekje që janë shumë reale, shumë dimensionale, të vrazhda, e të sofistikuara.
Ajo që dua të vë në pah është se alibitë e kërkuara në konspiracionet e jashtme për problemet e vetshkaktuara, na shmangin nga ndjenja e përgjegjësisë për këto probleme. Kaq mjafton që të vazhdohet në thellimin e tyre.
Duhet t’i lëmë shpjegimet konspirative. Janë dyfish të dëmshme : për mendjen dhe qeverisjen. Duhet ta shohim veten në pasqyrë.
Azem Shkreli, poeti i njohur pejan që iku herët nga kjo botë, ka një poezi briljante për ballafaqimin me veten. Poezia titullohet “Njerëzit”, dhe sot ajo na thotë shumë.
Në këtë poezi Azem Shkreli shkruan:
Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy
Do të putheshim apo kishim për t’u pshty?
Dy vargje. Një pyetje retorike. Dhe përgjigjja e dhënë në vetë pyetjen!