Kohë e pakohë për zgjedhje të parakohshme të cilat nuk sjellin asnjë ndryshim
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Kush e kruan, me dhimbje do ta ç’kruajë: Nëse i kemi parasysh numrat në Kuvendin e Kosovës, fitohet një përshtypje se kemi një pozitë të fortë dhe një opozitë duke dhënë shpirt, e mbaruar fare. Realisht ky mendim apo qëndrim më tepër është mashtrim optik sesa që e kemi gjendjen faktike.
Opozita ka pak numra, por ka muskuj për marrje të vendimeve për dallim nga ish-koalicioni i madh që kishte shumë numra, por nuk e mori thuaja asnjë vendim. Kishte mungesë guximi të marrjes së vendimeve, prandaj vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme e që e solli situatën që e kemi tani. Në atë kohë ishte një rritje e madhe e LV-së, tkurrje të PDK-së, vendnumërim të LDK-së me leckat parapolitike si AKR-ja dhe Alternativa, mbijetesë të Nismës dhe një komoditet për AAK-në, pasi u bë “nuse” ku ngarendnin të gjithë mesitët e që i siguronte martesë të mirë, me pajë mbresëlënëse sikur që me pajë të mirë u nda edhe Nisma. Ishin përpjekjet për një koalicion midis LDK-së dhe LV-së e që, për shkak të lakmisë për postin e kryeministrit, nuk pati marrëveshje. LV-ja u tregua politikisht filloriste sepse këmbëngulte që vetëm Albini të bëhet kryeministër në vend që këtë post t’ia ofrojë LDK-së, ndërsa për vete t’i ndajë ministritë kryesore e që do ta mbanin kryeministrin të kufizuar në marrje të vendimeve, sikur zogun në kafaz. Pastaj edhe do zgjedhje të tjera e që aspak nuk e ndryshuan situatën politike. Në ndërkohë patëm ndarjen e planifikuar të PSD-së nga LV-ja e të cilën LV-ja nuk e menaxhoi si duhet e që tash po i hakmerret, qoftë në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal!
PSD-ja, e forcuar materialisht dhe e rënë në dashuri interesi me subjektet e tjera politike, po e qëron pushtetin lokal në komunat ku i ka fituar zgjedhjet LV-ja nga anëtarë të LV-së sikur që edhe ndërmarrjet që udhëhiqen nga PSD-ja po i largojnë anëtarë të LV-së si të ishin talebanë e jo bashkëpartiakë me të cilët vepruan një kohë të gjatë. Aktualisht, për PSD-në më së shumti po punon LV-ja duke bërë përpjekje ta zhbëjë nga skena politike dhe duke shpenzuar kështu energji të panevojshme. LV-ja, në rrethanat që janë është, fare nuk do të duhej të merrej me PSD-në, por të punojë për konsolidimin e partisë dhe ndërtimin e koalicioneve, pa përmendur vija të kuqe, nëse mendon ta marrë pushtetin!
Edhe para 3-4 muajve, në një analizë për “Epokën e re” për rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve, kam parashikuar shifra që nuk dallojnë shumë as sot e që, për koincidencë, përputhen me “sondazhet” e një “gazetari”, mik i ngushtë i Hashimit në Kosovë dhe Hashimëve në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët e që janë në pushtet! Edhe atëherë, por edhe sot e them, se nuk ka kushte për zgjedhje të parakohshme dhe se edhe zgjedhjet eventuale nuk do të sillnin asnjë ndryshim.
Opozita, sipas një automatizmi, që nga dita e parë e qeverisjes ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, ndërsa më e zëshmja ka qenë LDK-ja për faktin se ka vlerësuar se i fiton zgjedhjet gjë që e kam thënë edhe unë dhe që e them edhe sot, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në katërmujorin e ardhshëm e që nuk besoj se do të ndodhë kështu. Kushti i parë, kryesori e, mos të them, i vetmi që do të sillte ndryshime në qeverisje dhe vendimmarrje, është një reformë e mirëfilltë dhe përmbajtjesore e sistemit zgjedhor e që duket se nuk do të bëhet shpejt. Të fillojmë nga LDK-ja si kryekruarësja kryesore.
1. LDK-ja i fiton zgjedhjet e parakohshme duke fituar jo më shumë se 24 për qind të votave e, që në rrethanat aktuale, më shumë i sjellë kokëçarje se komoditet. Pse? Me përqindjen e fituar LDK-ja nuk do të jetë në situatë të vë kushte, por të pranojë kushte nga partitë e tjera, pa të cilat nuk do të jetë në gjendje ta formojë qeverinë. Përsëri posti i kryeministrit do të mbetet vetëm dëshirë e LDK-së.
Koalicioni me LV-në nuk sjellë asnjë stabilitet për LDK-në, përkundrazi e futë në kanalizimin e ankthit permanent dhe i rri mbi kokë sikur shpata e Demokleut. Nëse LV-ja fiton 18 -20 për qind të votave e që nuk besoj, fort do ta kushtëzojë LDK-në, aq më parë që elefantët (më moçmit) e kësaj partie nuk kanë ndonjë dashuri për LV-në sepse për ta është hamshor i paprovuar dhe, më me dëshirë do të bënin koalicion me PDK-së apo AAK-së, por se nuk e kanë guximin të thonë publikisht. Thënë të drejtën, disa krerë të kokës së oktapodit të LDK-së e që sillen si kryetarë të ardhshëm, me kohë i kanë lidhur “bishtat” me PDK-në apo janë në vartësi të tyre, e sidomos të kryetarit në hije të PDK-së, Hashim Thaçit, mik i pandashëm i Batonit dhe vëllam i Behgjet Pacollit, me të cilin nuk e kanë bashkuar gjakun por, paratë, më pak të pista dhe më shumë të pista. Skifterët e LDK-së (të rinj në politikë dhe me një moshë mesatare) kanë ambicie të mëdha e mendojnë t’i realizojnë duke i dërguar të moçmit e LDK-së në varrezat e elefantëve. LDK-ja nuk ka udhëheqje, por ka shumë udhëheqës, LDK-ja thirret në parime, por në çaste vendimtare ka demonstruar parime pa koçe sikur që u shit te Hashimi për një post ambasadori, por një post konsulli, për një dekoratë, për një vend pune në borde apo ndërmarrje fitimprurëse, për një terminal doganor apo për një mosndjekje penale ose, për një premtim se një ndjekje penale, për hajni kryesisht apo një proces gjyqësor nga kjo ndjekje, do ta marrë epilogun lirues. Realisht, LDK-ja i ka vetëm dy kandidatë për kryetarë: Kujtim Shalën dhe Avdullah Hotin i cili është bartës i testamentit politik të Isa Mustafës, por që e kundërshtojnë Agim Veliu, Lutfi Haziri, Ismeti (më i rrezikshmi si kundërshtues) dhe disa elefantë të tjerë politikë të cilëve u ka përfunduar jeta politike, por se këta mendojnë ndryshe. Mbajeni mend, nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme, e që nuk besoj se në afatin gjashtëmujor do të ketë zgjedhje, fituesi i këtyre zgjedhjeve, LDK-ja do të jetë humbësja më e madhe!
2. LV-ja e ka një mungesë në piramidën udhëheqëse apo vendimmarrëse, mosha kineze e të bërit politikë. Nuk ka potencial ripërtëritës për vendimmarrje, PSD-ja po e qëron në nivelin lokal nga çdo post, kurse koalicioni me LDK-në nuk është se e forcon LV-në. Mund t’i ndihmojë që eventualisht të bëhet pjesë e pushtetit, por jo se i hapë shtigje të reja. LV-ja po përmend vija të kuqe për PDK-në dhe dy vija të kuqe për PSD-në e që asnjë subjekt politik serioz nuk do ta bënte këtë. LV-ja fort është duke punuar për forcimin e PSD-së sepse, nëse dikë e përmendni edhe në kontekstin negativ, do ta faktorizoni atë. LV-ja nuk e kalon 22-përqindëshin e votave dhe, nëse zgjedhjet mbahen në katërmujorin e ardhshëm, përqindja e votave do të sillet kah 18-20 për qind. Retorikën patriotike më nuk po e përmend as Edi Rama dhe as Zafir Berisha, si dy patriotët “par exellance” të shqiptarëve. Bashkimi me Shqipërinë në kohën kur nuk jeni në gjendje t’i mbroni as tokat tuaja, e ka humbur kuptimin dhe është bërë mundësi e parealizueshme. Përfundimisht, e vetmja shpresë apo strehë puro kombëtare për LV-në ka mbetur Sali Berisha, gjyshi i PD-së në Shqipëri. As çamët më nuk janë me Albinin, nuk po angazhohen për bashkim kombëtar, por janë bërë jeniçerë të Hashimit e që po angazhohen për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, pasi e kanë bashkuar Çamërinë! Dikush do të thotë se me LV-në është vështirë të arrihet marrëveshja për koalicion e unë e them se është shumë lehtë: vetëm ia ofroni kryeministrinë.
3. PDH (Partia Demokratike e Hashimit), ose PDK-ja (Partia Demokratike e Kurrkujt) e që po i atribuohet Kadri Veselit, është në gjumë apo në një gjendje të komës politike. Kjo parti nuk ka bërë ndryshime rrënjësore, por makiazhin po e përdorë për mashtrim se, kinse, është reformuar. Kadri Veseli po rri prapa timonit e që Hashimi po e drejton qerren e thyer. Kjo parti duhet ta falënderojë Hashimin për një kontribut dikur por, sot, duhet të distancohet fuqishëm nga Hashimi duke e respektuar si president të Kosovës e jo si president të PDK-së. Kjo parti duhet të lirohet nga ministra abuzues (përkthyer shqip i bie hajna) që mbajnë pushtet, që janë gënjeshtarë patologjikë dhe që e kthejnë prapanicën në drejtim të çdo sundimtari të partisë, por që e kanë standardizuar formatin e prapanicës sipas nevojave të Hashim Thaçit. PDK-ja duhet ta përtërijë politikisht Forumin e Gruas sepse politikanët aktualë të PDK-së, nëse i përbashkoni të gjitha sikur Himnin Kombëtar, nuk i përmbushin kualitetet politike për një temë diplome politike për maturantët e shkollës së mesme të një shkolle të mesme në Malishevë, Rahovec, Podujevë apo Drenas. Në çdo aktivitet, riciklimi pastron dhe sjellë cilësi, në PDK riciklimi i kuadrove që nuk riciklohen sipas asnjë formule (llaskucë ordinerë) e ka sjellë partinë pranë vdekjes klinike. PDK-ja është parti që më së shumti shantazhohet jo nga kundërshtarët, por nga vetë anëtarët e partisë! Nëse ua mohoni një tender, ua përçajnë degën, nëse nuk ua siguroni një post udhëheqës në parti, kalojnë në parti tjetër apo kërcënohen me formimin e një partie të re. Një udhëheqës i vërtetë dhe i vendosur dhe i cili merr përgjegjësi për pasojat eventuale, këto zhvillime i merr si mundësi të arta për reformimin e partisë. PDK-ja nuk ka rini që merr vesh në politikë, por ka rini politike që është e dëgjueshme! Dhe, intelektualët e PDK-së asnjëherë nuk kanë qenë të PDK-së! Edhe kësaj radhe, falë votuesve që nuk dallojnë fort nga partia, PDK-ja mund t’i fitojë deri në 22 për qind të votave. Me LV-në garon për vend të dytë.
4. AAK-ja, sipas meje, nëse zgjedhjet do të mbahen në katërmujorin e ardhshëm dhe nëse Ramush Haradinaj e mban qëndrimin kundërshtues për “kurvëri territoresh”, do të jetë fituese më e madhe në Kosovë. Jo se AAK-ja ka politikanë që shkëlqejnë nga intelektualizmi politik, por se ka një trup votues stabil, të qëndrueshëm dhe të ashtëzuar, me palcë kurrizore Ramush Haradinaj. Në këto rrethana, AAK-ja do të fitojë së paku 13 për qind të votave dhe do të bëhet faktor i pashmangshëm për koalicione, sikur LSI në Shqipëri, ndërsa Ramush Haradinaj si Ilir Meta.
5. PSD-ja nuk do ta ketë problem ta kalojë pragun zgjedhor, madje parashoh të fitojë 7-8 për qind të votave. Po tregohet parti që nuk ka vendosur vija të kuqe, po shitet si e reformuar, e kanë ndryshuar veshjen, e sidomos e kanë zbutur gjuhën. PSD-ja nuk e ka problem të bëjë koalicion me asnjë parti, madje as me LV-në nëse kjo i ofron një mundësi të tillë dhe paraqet interes politik për këtë parti.
6. Nisma Socialdemokrate do ta kalojë pragun duke u lodhur fort sepse do ta ketë shumë vështirë të mbërrijë deri në shkallën 5 për qind, nëse zgjedhjet mbahen në katër muajt e ardhshëm.
7. AKR-ja, nëse vendos të shkojë e vetme në zgjedhje, gjasat për ta kaluar pragun zgjedhor janë të barabarta me gjasat e mia që me tuta dhe atlete t’i pushtoj majat e Mont Everesit të Himalajave. Megjithatë, AKR-ja e ka një përparësi të bëhet pjesë e çdo pushteti shkaku se, duke u shndërruar në kondom të programuar për të gjitha rekuizitet e partive që i fitojnë zgjedhjet, asnjëherë nuk mbetet jashtë pushtetit.
8. Alternativa për Gjakovën është parti që shërben si patericë për të gjitha partitë dhe pushtetin që kanë probleme për ecje të baraspeshuar. I plotëson të gjitha kushtet që kërkohen për të qenë paterica; janë dy veta, me kondicion të mirë, me moshë premtuese dhe me kurriz shumë të lakueshëm! Besoj se në zgjedhjet e parakohshme dhe nëse ato mbahen në katërmujorin e ardhshëm, e që jam i sigurt se nuk do të mbahen, renditja e subjekteve politike, në bazë të rezultateve, do të jetë e ngjashme apo e përafërt me renditjen në analizën time.