KOK-u dyfishon mbështetjen për sportistët elitarë
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka marrë një tjetër vendim që shkon ekskluzivisht në të mirë të federatave dhe sportistëve elitarë.
BE i KOK-ut ka vendosur që të dyfishojë mbështetjen për 20 sportistët elitarë, të cilët ndodhen në listën e marrjes së bursave Olimpike për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Sportistët vijnë nga sportet e xhudos, boksit, mundjes, karatesë, atletikës, notit, shenjëtarisë dhe shigjetarisë. Deri në vitin e kaluar 2020, varësisht nga kategoria në të cilën ndodhen, sportistët kanë pasur mundësi që brenda një viti të përgatiten në kampe jashtë vendit, shpenzimet e të cilave i ka mbuluar KOK-u.
“Sportistët që ndodheshin në kategorinë A, i kanë pasur nga 80 ditë përgatitje brenda vitit, kategoria B nga 40 ditë, ndërsa kategoria C nga 20 ditë. 80-ditëshin e kanë arritur vetëm xhudistet, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Me vendimin e ri të BE, sportistëve iu është dyfishuar mbështetja, duke ua mundësuar që për të gjitha këto ditë (80, 40 dhe 20) t’u hiqen shpenzimet për gjashtë muajt e parë të këtij viti, që i bie deri në muajin kur nisin Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, të cilat mbahen prej 23 korrik-21 gusht 2021”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Po ashtu, mbështetja vlen edhe për kampet që organizohen në Kosovë dhe Rajon, për kohën sa zgjatë pandemia Covid-19. Krahas kësaj, BE i KOK-ut, ka vendosur që brenda këtyre gjashtë muajve, të cilët shihen si kruciale për të arritur normën Olimpike “Tokio 2020”, t’iu mundësojë heqjen e shpenzimeve sportistëve elitarë në njërën nga garat, të vlefshme për pikë Olimpike “Tokio 2020”. Në ditët e ardhshme do të publikohet edhe vendimi për bursistët Olimpikë për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.