KOK-u e cilëson të suksesshëm vitin 2019, zbulon synimet për 2020
Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar sot konferencën e fundvitit me gazetarë, në të cilën ka shpalosur aktivitetet e vitit që po lëmë pas.
Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, e kanë quajtur të suksesshëm vitin 2019 në rrafshin vendor dhe atë ndërkombëtar.
Ata kanë shpalosur disa prej aktiviteteve të organizuara gjatë vitit që po lëmë pas, ndërsa kanë përmendur edhe medaljet ndërkombëtare të fituara. Besim Hasani u shpreh se 2019 është një ndër vitet më të suksesshme të KOK-ut ku ata janë përqendruar më shumë te sportistët.
“Në rend të parë në zemër i kam pasur sportistët, dhe kjo është reflektuar në numrin e bursave që kemi ndarë për sportistë. Janë 19 bursa trevjeçar për Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’, janë tre bursa trevjeçare për Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2022. Gjashtë bursa njëvjeçare, shpresa olimpike që i paguan Komiteti Olimpik, normalisht edhe 10 të tjera që i ndanë Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Kemi dërguar sportistët në përgatitje para çdo gare, sportive kemi bërë kategorizimin e sportistëve që iu ka mundësuar krahë një page të caktuar të kenë edhe përgatitje 12 ditë gjatë një viti kalendarik. Kemi formuar komisionin e sportistëve dhe sportistët tashmë janë anëtarë edhe të bordit ekzekutiv dhe në mënyrë serioze kemi menduar për karrierën e dyfishtë sepse sakrifica e tyre është e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Kosova fitoi tri medalje në Lojërat Evropiane 2019, si dhe një medalje të artë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, “Baku 2019”.
Hasani ka folur edhe për 2020, që njëherësh njihet edhe si vit i Olimpiadës. Në kryeqytetin e Japonisë, Tokio 2020, organizohen Lojërat Olimpike, në të cilat, sipas KOK-ut, Kosova synon të fitojë medalje.
“Komiteti Olimpik i Kosovës si organizatë sportive do të funksionojë si biznes, do të thotë tash trendi i organizatave sportive është që të funksionojnë si biznes, sepse kanë nevojë për gjenerimin e mjeteve të cilat menjëherë shpenzohen, duke iu dërguar sportistëve respektivisht për zhvillimin e sportit. KOK-u për më tepër do të funksionojë jo si një pikë organizative, por do të shërbejë dhe do të jetë një organizatë shërbyese në funksion dhënies së këshillave dhe pse jo edhe edukimit të kuadrove të anëtarëve të saj, e fundit kjo është edhe kërkesë e Federatave. Gjatë konferencës, KOK ka nderuar edhe disa prej sponsorëve, të cilët munguan në gala-mbrëmjen e organizuar më 9 dhjetor 2019, me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë Hasani.