KOK-u fitoi turneun e Ditës Olimpike 2022
Komiteti Olimpik i Kosovës ka fituar turneun e futbollit të madh, të organizuar për nderë të Ditës Olimpike 2022.
KOK-u në finale mundi Veteranët e Futbollit, 5-4 pas penalltive, pasi koha e rregullt u mbyll pa fitues (0-0). Pjesëmarrëse në turneun që u zhvillua në stadiumin “Ibrahim Gashi” në Taukbahqe të Prishtinës, ishin edhe ekipet e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Komuna e Prishtinës, Forca e Sigurisë së Kosovë (FSK), Policia e Kosovës (PK) dhe Gazetarët Sportivë.
Të pranishëm në stadium ishin edhe zëvendësministrja e MKRS-ja, Daulina Osmani, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, legjenda e sportit tonë, Ferit Zekolli, i cili ndau edhe medaljet, si dhe personalitete tjera.
KOK-u deri në finale mundi MKRS-në dhe Komunën e Prishtinës, të dyja me rezultat 2-0. Çmimi i lojtarit më të mirë i takoi Shpëtim Gërvallës. Me medalje u nderua edhe finalisti Veteranët e Kosovës, të cilët paraprakisht kishin fituar ndaj Policisë së Kosovës dhe FSK-në.
KOK-u ka falënderuar të gjitha ekipet pjesëmarrëse, gjyqtarët e FFK-së, si dhe mikpritësit e stadiumit, për kontributin e dhënë gjatë këtij aktiviteti, që u organizua në kuadër të Javës Olimpike 2022.