KOK-u fiton projekt në ‘Erasmus Plus’
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) për herë të parë ka fituar projekt në Unionin Evropian përmes programeve të “Erasmus Plus”, i cili do ta shtojë buxhetin e KOK-ut për vitin 2022.
Projekti i fituar është “Ngritja e kapaciteteve në fushën e sportit”, udhëheqës i të cilit është Organizata Sportive JoQeveritare e Evropës (ENGSO). Krahas KOK-ut, pjesë e projektit të fituar janë edhe tri komitete olimpike kombëtare: Komiteti Olimpik Kombëtar i Shqipërisë, Komiteti Olimpik i Malit të Zi dhe Komiteti Olimpik i Bosnjë-Hercegovinës. Po ashtu, partnerë të tjerë të projektit janë edhe Universiteti i Prishtinës, Organizata për Edukim në Sport e Italisë dhe Konfederata e Sportit të Portugalisë. Me fitimin e këtij projekti KOK do të organizojë aktivitete në partneritet me organizatat e lartpërmendura, ndërsa e veçanta është se aktiviteti madhor dhe përmbyllës i projektit do të mbahet në Kosovë.
Aktivitetet kanë të bëjnë promovimin e vlerave pozitive përmes sportit në relacion me integritetin, siguria në sport, “fair-play”, toleranca, shpirti ekipor dhe barazia në sport, të cilat do të organizohen përmes trajnimeve me sportistë nëpër komuna, shkolla, përfshirjen e fëmijëve etj.
KOK-u është anëtar i ENGSO nga qershori i vitit 2017.