KOK-u mban mbledhjen e radhës, merr disa vendime të rëndësishme

23 shtator 2021 | 18:01

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e pestë, në të cilën ka shqyrtuar pika të ndryshme të rendit të ditës.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, paraprakisht i ka uruar mirëseardhje sekretarit të ri të përgjithshëm, Besim Aliti, për të cilin ishte mbledhja e parë që prej emërimit të tij. Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm, Aliti, ka falënderuar BE-në për besimin, duke premtuar bashkëpunim për arritjen e objektivave. Në këtë mbledhje u shqyrtua ankesa e ish-sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe, sipas njoftimit të Komitetit Olimpik, do t’i dërgohet përgjigjja zyrtare sipas vendimit të Bordit Ekzekutiv.

Gjithashtu, u diskutua për aplikimet e federatave për Bursat Olimpike “Paris 2024” dhe u konstatua se 13 federata kanë aplikuar me 38 sportistë. U rekomandua komisioni i sportit të bëjë përzgjedhjen e tyre. Ndërkohë që në pikën tjetër u miratua raporti i komisionit për punësimin e dy personave në Akademinë Olimpike. Fitim Arifi u emërua në pozitën “koordinator i programit arsimor”, ndërsa Diellza Kelmendi në pozitën “koordinatore e vlerave olimpike”. U konstatua se përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

LOD “Pekini 2022” mbahen prej 4-20 shkurt 2022. Jeton Rudari u zgjodh shef i misionit për Festivalin Olimpik Evropian Dimëror (EYOF) “Vuokatti 2022”, i cili mbahet prej 20-25 mars 2022 në Vuokatti të Finlandës. Ndërsa konferenca “Barazia Gjinore” do të mbahet në muajin e ardhshëm. Një vendim tjetër nga BE i KOK-ut ishte që Klubit të Volejbollit “Luboteni” t’i kthehen paratë e deponimit të ankesës, pasi Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (CAS) nuk kishte marrë vendim për ankesën e tyre drejtuar këtij organi vitin e kaluar.

Trajneri i basketbollit, Dritëro Sefaja, u përzgjodh për ta vijuar “Programin Ndërkombëtar të Certifikimit të Pasurimit të Trajnerëve (ICECP)”. Programi është projekt i Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Solidaritetin Olimpik dhe Universitetin Delaware, derisa ka për qëllim zgjerimin e nivelit të lartë të përgatitjeve përmes programit të ICECP.

Ndërsa përfaqësuesja nga Federata e Tenisit e Kosovës, Blearta Ukëhaxhaj, u përzgjodh për ambasadore nga Kosova në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) “Banska Bistrica 2022”, që në muajin korrik mbahet në Banska Bistrica të Sllovakisë. Blearta është ish-tenisere, tani gjyqtare, ndërsa si sportiste ka përfaqësuar Kosovën edhe në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Gyor 2017”, ku ishte edhe bartëse e flamurit në ceremoninë hapëse, si dhe pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar…