KOK-u mbështet federatat sportive me 23 mijë euro
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) ka marrë vendim t’i mbështesë Federatat Olimpike dhe Joolimpike të Kosovës pas vështirësive të krijuara nga përhapja e pandemisë Covid-19.
Shuma e ndarë për federatat është rreth 23 mijë euro, të cilat do të ndahen nga 700 euro për Federatat Olimpike dhe 500 për Federatat Joolimpike të Kosovës. Për federatat olimpike KOK-u ka fituar fonde nga Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), Komiteti Olimpik i Evropës (KOE) dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Për të mos anashkaluar Federatat Joolimpike, Bordi Ekzekutiv i KOK-ut ka vendosur që këto federata të mbështeten nga të hyrat e sponsorëve të KOK-ut. Gjatë këtij viti KOK ka mbështetur edhe sportistët elitarë të sporteve të xhudos, boksit, mundjes dhe notit, bazuar në kërkesat e tyre për heqjen e shpenzimeve të përgatitjeve gjatë pandemisë.
(Epoka e re)