KOK-u mbështet vendimin për fillimin e përgatitjeve të futbollit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u ka konfirmuar sot drejtuesve të futbollit vendimin që kanë ndërmarrë institucionet për lejimin e aktiviteteve për vazhdimin e procesit stërvitor klubeve të Superligës.
Në bazë të vendimit që ka lëshuar Ministria e Shëndetësisë, Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’i përmbahet udhëzuesit të përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në institucionet publike dhe private.
Ministrja Dumoshi ua sqaroi krerëve të FFK-së se fillimisht lejohet që të startojë me përgatitje dhe gara Superliga e Kosovës, e pas disa javëve ligat e tjera. Ministrja porositi drejtuesit e FFK-së, që në përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimit që kanë për futbollin në Kosovë, të ndërmarrin të gjitha masat që parashihen për pastrimin dhe dezinfektimin e hapësirave ku do të zhvillohen aktivitetet e futbollit.
Komiteti Olimpik i Kosovës mbështet vendimin e institucioneve tona, derisa kërkon që sa më parë t’iu mundësohet edhe sporteve tjera fillimi i përgatitjeve, gjithnjë duke u bazuar në udhëzimet që dalin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.