KOK-u mbulon shpenzimet e sportistëve elitarë të xhudos
Komiteti Olimpik i Kosovës do t’i mbulojë shpenzimet e gjashtë sportistëve elitarë të xhudos të cilët po marrin pjesë në kampin përgatitor në Poreq të Kroacisë.
Mbështetja vlen bazuar në vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut për mbështetje të sportistëve elitarë (sipas kategorizimit të sportistëve) për përgatitje jashtë vendit. Gjashtë sportistët elitarë të xhudos janë: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu. Nën udhëheqjen e trajnerit Driton Kuka dhe asistentit të grupmoshave të reja, Fatos Tabaku, ekipi prej 13 xhudistëve po përgatitet bashkë me ekipin kombëtar të Kroacisë. Ekipi i xhudos do të përgatitet në Poreq deri më 26 korrik.
KOK-u kishte mbuluar shpenzimet e xhudos edhe për përgatitjet e mbajtura javë më parë në Golem të Shqipërisë. Bordi Ekzekutiv i KOK-ut në mbledhjen e fundit kishte vendosur që shkaku i pandemisë Covid-19, sportistëve të kategorizuar t’u mbulohen shpenzimet edhe për përgatitjet në kampet që organizohen në Kosovë ose vendet fqinje të Kosovës.
(V.Z / Epoka e re)