KOK-u sonte shënon 5-vjetorin e anëtarësimit në KON
Komiteti Olimpik i Kosovës do të shënojë sonte ditën më historike të sportit të Kosovës, e cila theu izolimin shumëvjeçarë të sportit tonë.
9 dhjetori 2014 do të mbetet përherë në histori të sportit të Kosovës, datë kjo që shënoi anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Me këtë rast, KOK-u organizon Gala Mbrëmjen me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON, e cila do të mbahet në Hotel Emerald në Prishtinë, me fillim prej orës 20:00.
Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, nesër në Kosovë do të arrijnë presidentë të shumtë të Komiteteve Olimpike Kombëtare.
Në Gala Mbrëmje të pranishëm do të jenë:
-Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë,
-Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë,
-Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë,
-Vasil Tupurkovski, president i KO të Maqedonisë së Veriut,
-Dusan Simonoviq, president i KO të Malit të Zi,
-Viron Bezhani, president i KO të Shqipërisë.
Një mysafir tjetër i lartë edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale. Krahas tyre, të pranishëm do të jenë edhe figurat më të larta politike të shtetit tonë, si dhe ato nga sporti, arti e kultura. KOK- u anëtarësua në KON në Sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare. Në këto pesë vjet, KOK-u ka fituar 11 medalje, prej tyre gjashtë të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta në Lojërat e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa veçohet medalja e artë Olimpike e Majlinda Kelmendit, e cila bëri që Kosova të hyjë në mesin e 100 shteteve me medalje të artë Olimpike.