KOKA E BANUSH KAMBERIT*

15 janar 2019 | 10:29

MILAZIM KRASNIQI

Më këputën nga trupi me sharrë
Dhe më futën në një torbë
Trupin e tërhoqën oborrit zvarrë
Dhe e lanë mbi borë

Nuk di kështu ku po më humbin
Në Kragujevc a në Beograd
Një kokë që nuk e ka trupin
S’kanë pse e zhdukin kaq larg

Nuk jam koka e Ali Tepelenit**
Që tronditi një perandori
Jam veç koka e Banush Kamberit
Fshatar i thjeshtë në pleqëri

Por, për asgjë nuk më pyet njeri
E si mund të të pyesë krimineli
Udhëtoj i futur në torbë nëpër Serbi
Ndoshta vetëm derisa të këndojë gjeli***
Pastaj nga t’ia mbaj, ku të shkoj
I ngrirë në tepsi me mjaltë****
Unë kam dëshirë të fluturoj
Të kthehem prapë në Reçak

Të kthehem e ta gjej trupin tim
Ta gjej veten time të vrarë
Ta shoh me sytë e mi atë krim
Që lanë prapa këta barbarë

Por s’fluturon një kokë e prerë
As nuk ecën pa kokë një njeri
Ndodh kështu vetëm në legjendat serbe
Që sa herë rishfaqen na therin e vrasin përsëri

_______________________________________

* Fshatar nga Reçaku i Shtimes. Më 15 janar 1999 forcat policore serbe e vranë, pastaj ia prenë kokën. Kokën e prerë e morën me vete, prandaj ende nuk i është gjetur.

** Ali Pashë Tepelena ishte sundimtar shqiptar i Pashallëkut të Janinës. Pasi e vranë me pabesi, ia prenë kokën dhe ia dërguan në Stamboll si provë se e kishin eliminuar pashain rebel.

*** Ekziston një legjendë, sipas së cilës, Millosh Obiliqi ka ecur me kokë të prerë nga fushëbeteja e deri në fshatin Bajmoc. Sipas legjendës, kur ka kënduar këndesi i mëngjesit, i ka rënë koka nga duart dhe ka mbetur aty i vdekur.

**** Kokën e prerë të kryengritësit të famshëm serb, Karagjorgjes, vasalët/lojalistët serbë ia patën dërguar sulltanit në tepsi të ngrirë në mjaltë, që të mos prishej derisa të mbërrinte në Stamboll.

22 dhjetor 2015

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga studio e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Presidenti…