Kolegët e punës shprehen të pikëlluar për vdekjen e Liridona Ademajt
Vdekja e Liridona Ademajt, ka pikëlluar shumë kolegët e punës në Suedi.
Ata kanë shprehur dhimbjen e tyre përmes një shkrimi në faqen zyrtare të lokalit.
“Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë”.
“Ajo ishte një shoqe dhe punonjëse shumë e dashur për të gjithë”, është thënë në reagimin e “Lejas Cafe” të publikuar në “Facebook”.
Kolegët e Liridona Ademajt kanë thënë se kishin marrë shumë pyetje lidhur me rastin tragjik, por për hir të familjarëve saj, nuk kishin reaguar.
Stafi ka njoftuar se në kujtim të Liridonës apo “Lillyt” siç e quanin ata, lokali do të jetë i hapur sot nga ora 15:00 për të bërë homazhe.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Sinidoll të Prishtinës.
Lidhur me ngjarjen, ndaj të dyshuarit kryesor, ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, dhe dy të tjerëve, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, është caktuar nga një muaj paraburgim nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Ish-bashkëshorti i Liridonës, Naimi e ka pranuar fajësinë se ka paguar vrasjen e saj.
Ai dyshohet se ka paguar 30 mijë euro për kryerjen e aktit makabër.