Kolegji AAB mban konferencën studentore ndërkombëtare
Në Kolegjin AAB të mërkurën ka filluar punimet Konferenca Ndërkombëtare Studentore, në të cilën po marrin pjesë një numër i madh i studentëve nga vendi, rajoni dhe nga bota.
Hapjen e kësaj konference e ka bërë prorektori për Shkencë i Kolegjit AAB, prof. Hasan Saliu, i cili tha se Kolegji AAB gjatë gjithë kohës organizon Konferenca Shkencore.
Ai ka thënë se kjo konferencë kërkimore ndërkombëtare sot është vetëm një vazhdim dhe angazhim tjetër i studentëve tanë. “Kolegji AAB deri më tani ka organizuar disa konferenca shkencore ndërkombëtare nga fusha të ndryshme studimi, si ato të komunikimeve dhe studimeve mediatike, të drejtësisë, psikologjisë, konferenca të ekonomisë, ajo e çështjeve sociale, linguistikës etj.. Këto konferenca janë organizuar në AAB në partneritet të ndryshëm rajonal e ndërkombëtar, si Universitetin e Tiranës, Elbasanit, Sarajevës, Osjekut, Universitetin e Peruxhës, ndërsa në qershorin e kaluar një panel i ishte rezervuar AAB-së nga Universiteti publik i Milanos”, ka thënë Saliu.
Punimet e Konferencës Studentore Ndërkombëtare, i ka përshëndetur edhe kryetarja e Unionit Studentor të Kolegjit AAB, Flaka Vitaku.
Ajo ka thënë se Unioni Studentor i Kolegjit AAB është duke bërë një punë të mirë dhe me shumë entuziazëm.
Me këtë rast, ajo ka përmendur disa aktivitete me rëndësi që janë zhvilluar në kuadër të këtij unioni si: krijimi i eventeve të ndryshme, debate publike me studentët dhe aktivitete të ndryshme nacionale.
Studentët pjesëmarrës potencuan se kjo konferencë është një mundësi e përsosur për të prezantuar kërkimet e tyre, për të krijuar miq të rinj, për t’u argëtuar dhe për ta njohur Kosovën.