Kolegji AAB mbështet iniciativën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë
Kolegji AAB me në krye rektorin Bujar Demjaha dhe me iniciativën e dekanit të Fakultetit të Arteve, Fitim Aliu, kanë përkrahur nismën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Ky simbol i propozuar nga Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur’, që bart ngjyrat e flamurit kombëtar të shqiptarëve, përmes katër petaleve, paraqet format e katër akteve gjenocidare që Serbia i zbatoi gjatë luftës në Kosovë: vrasjet (mbi dhjetë mijë shqiptarë të vrarë të të gjitha moshave); dhuna seksuale (mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale); spastrimi etnik (rreth një milion viktima të spastrimit etnik); e shkatërrimi i vendbanimeve dhe objekteve të shqiptarëve. Andaj, në prag të 15 Janarit, Ditës së përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, përmes kësaj deklarate, profesorët dhe i gjithë stafi i Kolegjit AAB e mbështesin nismën dhe ftojnë institucionet e Republikës së Kosovës që të miratojnë lulëkuqen si simbol zyrtar e shenjë identifikuese për kujtimin e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë”, është thënë në njoftimin e Kolegjit AAB.
Sipas këtij kolegji, ky simbol duhet të shërbejë si shenjë unike për të mbajtur gjallë kujtesën tonë kolektive e për të mos harruar asnjëherë!