Kolegji AAB nderon Doris Packun me ‘Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime’
Në Kolegjin AAB me një ceremoni speciale është nderuar një nga figurat më të rëndësishme, që dha kontribut e mbështetje për çdo proces në Kosovë që kishte të bënte me liri dhe pavarësi, ish deputetja e Parlamentit Evropian, politikanja e njohur gjermane Doris Pack.
Asaj i është dhënë “Çmimi Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime” të Kolegjit AAB, nga rektori prof. dr. Bujar Demjaha.
Në fjalimin e tij, Demjaha tha se kontributi që dha Pack që nga kohët e vështira e sfiduese për Kosovën, e deri në pavarësi dhe liri, i janë të gjithë mirënjohës.
Ai e cilësoi zonjën Pack si politikane intelektuale, e ndershme dhe një zonjë të dalluar.
Pack shprehu mirënjohjen e thellë për nderimin që i është bërë nga Kolegji AAB, duke shtuar se kontributi i saj ishte një obligim për të mirën e një populli dhe një shteti si Kosova.
Tutje shtoi se ky çmim dhe mirënjohja që i bëhen tregojnë qartë se si ndjehet populli i Kosovës për të.