Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Gjimnastikës së Kosovës
Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit të Kolegjit AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Gjimnastikës së Kosovës.
Bashkëpunimet e ndërsjella me institucione relevante dallojnë Kolegjin AAB për mundësitë e punës karshi studentëve. Së fundi, Kolegji AAB gjegjësisht Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Gjimnastikës së Kosovës duke u bazuar në përcaktimin e programeve të përbashkëta në realizimin e pjesës praktike të studentëve, për mbrojtjen e interesit të studentëve, për zhvillimin e njohurive të reja respektivisht atyre praktike, në kuadër të lëndës së gjimnastikës.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Prof. Asoc. Dr. Fatmir Pireva, dhe nënkryetares së Federatës së Gjimnastikës, Abeliana Bregu.
Ndër të tjera, në saje të këtij bashkëpunimi do të bëhen edhe organizime të konferencave shkencore dhe shkëmbim i përvojave me synim të fuqizimit të politikave edukativo-arsimore, emancipimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta të studentëve.