Kolegji AAB reagon lidhur me vendimet e KSHC-së
Përkitazi me zhvillimet e fundit në arsimin e lartë në Kosovë, pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), për tërheqjen e akreditimit të disa programeve studimore, Kolegji AAB ka shprehur reagimin e tij për ligjshmërinë e këtyre vendimeve.
Reagimi i plotë i Kolegjit AAB:
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është agjenci e pavarur e cila është përgjegjëse për sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Rrjedhimisht askush nuk e konteston të drejtën e saj për tërheqje të akreditimit të programeve të studimit. Mirëpo duke qenë se për dhënien e akreditimit aplikohet një procedurë e cila përfshin disa faza dhe zgjatë deri në një vit, edhe tërheqja e akreditimit duhet t’i nënshtrohet procedurës së njëjtë, apo procedurave të cilat duhet të aplikohen dhe të jenë transparente për IAL-të.
Akreditimi, është një proces i cili aplikohet tashmë 10 vite dhe është bërë i njohur nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Vendimet e fundit të KSHC-së janë përcjellë me një paqartësi të madhe ligjore dhe procedurale, duke qenë se KSHC i është qasur gabimisht dispozitave ligjore në fuqi duke tejkaluar kompetencat e tyre. Ende është e paqartë se në bazë të cilit proces janë marrë vendimet e fundit të KSHC-së? Nëse këto vendime hyjnë në kuadër të monitorimit dhe kontrollit të cilësisë, atëherë një proces i tillë duhet të organizohet me vlerësues të jashtëm ndërkombëtarë ashtu siç parashihet në nenin 29, paragrafi 2, të UA për Akreditim Nr. 15/2018. Një programi të studimit nuk mund t’i tërhiqet akreditimi nëse gjatë implementimit të tij, institucioni nuk ka rënë në kundërshtim me kushtet e akreditimit të përcaktuara qartë në vendimin e akreditimit pasi që vendimi është akti përfundimtar me të cilin përmbyllet një proces akreditimi.
KSHC nuk duhet të konsiderojë veten kompetente për vlerësimin e kompetencës së stafit akademik në bazën e titujve të tyre, sepse një vlerësim i tillë është kompleks dhe profesional, përfshin një numër të madh të dokumentacionit, kërkon takime të drejtpërdrejta me personat përgjegjës të programeve të studimit përmes së cilëve vërtetohet përfundimisht kompetenca e stafit për mësimdhënie. Ky proces sipas rregullativës ligjore i takon vetëm ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, ashtu edhe siç historikisht është aplikuar nga AKA.
Çdo proces dhe vendim i Agjencisë së Akreditimit i cili ka ndikim në punën e institucioneve të arsimit të lartë duhet të bëhet publike për IAL-të dhe të aplikohet në mënyrë konsistente, ashtu siç parashihet në Ligjin për Arsimin e Lartë si dhe Udhëzuesit Evropian për Sigurim të Cilësisë (ESG 2015). Mirëpo, asnjë prej institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, nuk i ka pasur të qarta kriteret në bazën e së cilës KSHC ka marrë vendim për të tërhequr akreditimin e programeve të studimit në bazë të kualifikimit të stafit. Institucionet nuk janë ftuar asnjëherë për të diskutuar gjendjen e stafit akademik, nuk i është dhënë asnjë mundësi për plotësim të listave të stafit akademik që të shihen mundësitë se si vendimet e KSHC-së të kenë ndikimin minimal në programet e tyre të studimit dhe rrjedhimisht tek studentët, në mënyrë që ky proces të marrë karakter mbështetës nga AKA.
Një qasje e tillë restriktive dhe jo transparente nga ana e KSHC-së bie plotësisht në kundërshtim me misionin që një agjenci e akreditimit duhet ta ketë. AKA duhet të zhvillojë institucionet e arsimit të lartë duke i mbështetur ato në plotësimin e kritereve dhe forcimin e sistemit të brendshëm të sigurimit të cilësisë. Standardet Evropiane për Sigurim të Cilësisë (ESG 2015) të cilat AKA obligohet t’i plotësojë me qëllim të ruajtjes së anëtarësimit në ENQA dhe kthimit në EQAR, kërkojnë që agjencitë e akreditimit të përfshijnë në mënyrë aktive IAL-të në gjitha proceset e sigurimit të jashtëm të cilësisë si dhe të aplikojnë në mënyrë konsistente kriteret dhe procedurat e akreditimit, duke ia bërë paraprakisht të ditura ato institucioneve të arsimit të lartë.
Kolegji AAB, si një ndër institucionet më të mëdha në Kosovë dhe me numrin më të madh të personelit akademik dhe studentëve, mbetet i përkushtuar në respektimin e plotë të standardeve dhe procedurave të akreditimit, përfshirë Vendimet e AKA-së, mirëpo pasi që AKA të sigurohet për ligjshmërinë e vendimeve të tyre, ngase dëmi që mund të shkaktohet është shumë i madh.
Mbi bazën e kësaj që u tha më lart, Kolegji AAB ndan shqetësimet e njëjta me konferencën e rektorëve të institucioneve publike dhe fton AKA që të vendos komunikim transparent me IAL në përputhje me misionin që ka.