Kolegji “BIZNESI” organizoi konferencë me temë: “Veçoritë e menaxhimit të emergjencave në kushtet e pandemisë Covid – 19 dhe rrugët e vendosjes së normalitetit”

24 dhjetor 2020 | 21:47

Në datë 24 Dhjetor 2020, Kolegji ‘BIZNESI’ nën drejtimin e Dekani, profesor doktor Shyqeri Kabashi, organizoi konferencën me temë “Veçoritë e menaxhimit të emergjencave në kushtet e pandemisë ”Covid – 19” dhe rrugët e vendosjes së normaliteti”. Qëllimi i konferencës ishte të krijonte një pamje të problemeve të kohës dhe të nxirrte në pah përgjegjësitë e gjithë elementëve të shoqërisë në kushtet e krijuara, për ta sjellë jetën në normalitet, duke e vënë theksin te gjendja e emergjencës, duke diskutuar problematikat dhe sfidat me të cilat po përballet shoqëria dhe qytetarët e Kosovës në këtë situatë.

Zakonisht ne jemi mësuar t’i trajtojmë çështjet nga situata e normalitetit, ndërkohë që problematikat që ekzistojnë për shoqërinë sot në Kosovë dhe në gjithë shoqërinë njerëzore, duket se nuk kanë pasur vëmendjen e mjaftueshme të organeve të qeverisjes dhe ato profesionale e rrjedhimisht edhe të publikut, i cili duke u mbështetur në informacionin anormal nuk po arrin të pozicionohet në krah të kërkesave sado të dobëta shkencore për situatën e krijuar.

Situata e aktuale u trajtua në këndvështrime reale dhe kritike në shumë dimensione nga të gjithë pjesëmarrësit e kësaj konference. Me një larmi temash, u analizuan problemet më të mëdha me të cilat përballet sot shoqëria në tërësi e Kosova në veçanti.

Profesor doktor Shyqeri Kabashi, duke uruar pjesëmarrësit në konferencë, kërkoj që të gjithë të shprehin sa më qartë, kërkesat ndaj institucioneve dhe qytetarëve, për të krijuar mundësinë e kthimit të jetës në normalitet duke kaluar mbi sfidat e përballjes me pandeminë covid-19.


Në vijim të konferencës u paraqiten temat, si: Prof. Dr. Kudusi Lama – paraqiti temën “Veçoritë dhe kërkesat e menaxhimit të emergjencave në kushtet e pandemisë”; Prof. Dr. Besim Kelmendi – “Infrastruktura ligjore në Kosovë për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në kohën e pandemisë covid-19″; Prof. Dr. Dritan Topi – “Ushqimi në kohën e pandemisë covid-19, një krizë brenda krizës” dhe “Covid -19 dhe transporti në Shqipëri, hidrokarburet fosile dhe emetimet e CO2”; Prof. Dr. Muhamet Rracaj – “Siguria njerëzore – Bioterrorizmi si formë e kërcënimit hibrid”; Prof. Dr. Brikenda Vokshi – “Ndikimi i pandemisë Covid-19 në ekonominë e Kosovës dhe atë globale”; Arben Halili – “Menaxhimi i pandemisë Covid-9 në komunën e Ferizajit”; Prof. Dr. Milazim Shabani – “Menaxhimi i shërimit të infektuarve me Covid-19 me plazëm të gjakut”; Blerina Hasani – “Vizioni për zhvillim në kushtet e pandemisë për krijimin e normalitetit në mësimdhënie…”; Prof. Dr. Nexhmije Kabashi – “Pasojat e COVID -19 në bizneset e grave në Kosovë”; Mr. Rrahman Sefedini – “Ndikimi i fatkeqësive në zhvillimin e biznesit në disa shtete”; Prof. Dr. Shpëtim Rezniqi – “Përvojat e vendeve të zhvilluara në vlerësimin dhe menaxhimin e situatës së pandemisë”; Prof. Dr. Agim Kastrati – “Raportimi financiar dhe tatimor në Kosovë”; Prof. Dr. Ramadan Beqiri – ”Menaxhimi i mësimdhënies nga distanca në kohën e pandemisë Covid-19 në institucionet arsimore”; Prof. Dr. Arben Agushi – “E drejta e sigurimeve në unionin evropian”.

Në fokus të kësaj konference ishte nevoja për angazhimin e përgjithshëm në situata të vështira për të dhënë më të mirën e mundshme për të kufizuar paraqitjen e dëmeve si në jetët njerëzore ashtu edhe në procesin e zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Shqetësuese në këtë drejtim u vlerësua mungesa e unitetit për të bërë atë që duhet, mungesa e mekanizmave vetërregullues të pavarur, përdorimi politik i profesionistëve në këtë situatë të rëndë etj.

U theksuar me arsyetime bindëse nga referuesit, se puna parandaluese për situatat që favorizojnë fatkeqësitë, kërkon që ta bëjmë këtë në mënyrë të hapur dhe të sigurt. Temat e trajtuara në këtë konferencë adresuan gjithashtu raportin fatkeqësisë dhe nevojës për zhvillim të vendit, si dhe rolin e rëndësishëm që ka bashkëpunimi për të promovuar dhe evidentuar nevojën për një vëmendje më të madhe ndaj problemeve sociale me të cilat përballen grupet në nevojë të shoqërisë shqiptare e më gjerë. Hulumtimet e pjesëmarrësve në konferencë do të vijnë edhe të publikuara për publikun dhe të gjithë të interesuarit në botimin e revistës së radhës ”BIZNESI” të Kolegjit, me shpresën se ato do të jenë moment i rëndësishëm reflektimi për të gjithë aktorët që janë të interesuar të sjellin ndryshime pozitive për jetën shoqërore, për zhvillimin, për kulturën, për arsimin, dhe të drejtat e liritë e shtetasve që përballen me këto fatkeqësi.

Pas përfundimit të konferencës profesor Kabashi iu drejtua pjesëmarrësve me një mesazh falënderues për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë, përmes prezantimeve të punimeve në temën mbi të cilën u mbështetën punimet e kësaj konference.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrahman Paçarizi Parathënie e librit “Fjalëformimi ndajshtesor i shqipes” që…