Në Kolegjin ‘ILIRIA’ filloi manifestimi i 14-të “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA- të”
Në Kolegjin “ILIRIA” është hapur manifestimi tradicional “Ditët e falënderimit të Kosovës për ShBA-të 2019”.
Kjo është hera e 14-të që ky kolegj dhe Rinia Studentore e Kosovës, shprehin respektin dhe dashurinë ndaj ShBA-së dhe popullit amerikan duke spikatur rolin e përhershëm, esencial dhe të pazëvendësueshëm të Amerikës në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Hapja solemne e këtij manifestimi është bërë me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës, atij amerikan dhe himnit kombëtar.
Sikurse në vitet e kaluara edhe në manifestimin “Ditët e falënderimit të Kosovës për ShBA-të 2019”, të gjitha aktivitetet kulturore e artistike, që zhvillohen gjatë katër ditëve, prej 25 deri më 28 nëntor, i përkushtohen miqësisë shqiptaro-amerikane, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që ka dhënë Qeveria amerikane dhe populli amerikan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Presidenti i Kolegjit “ILIRIA”, prof. dr. Mixhait Reçi, në hapje të këtij manifestimi, ka thënë se ky kolegj është shumë krenar që për 14-të vite me radhë bashkë me Rininë Studentore, organizojnë manifestimin “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”.
Më tutje, Reçi ka folur për rolin e ShBA-së, në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar se populli i Kosovës do jetë përjetësisht mirënjohës Amerikës për mbështetjen që i ka dhënë në momentet më kritike.
“Ky vit është shumë i veçantë sepse më 28 nëntor festojmë bashkë amerikanë dhe shqiptarë. Ne me këtë aktivitet respektojmë dhe falënderojmë Amerikën, por duke respektuar Amerikën ne respektojmë vetveten. Duke respektuar Amerikën ne i respektojmë të parët tanë që u persekutuan nga regjimet okupuese. Të persekutuarit nga komunizmi. Respektojmë luftëtarët tanë që në ditët më të vështira përkrah kishin Amerikën. Respektojmë nënat dhe bijtë tanë që në male strehoheshin nga armiku. Respektojmë mësimdhënësit që mbajtën gjallë arsimin duke punuar në objekte shtëpi – shkollë”, ka thënë Reçi.
Ndërsa prof. dr. Sabri Kiçmari, profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ka folur për miqësinë shqiptare e amerikane dhe mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtetndërtimin e Kosovës.
Në ditën e parë të manifestimit tradicional “Ditët e falënderimit të Kosovës për ShBA-të 2019”, në kampusin e Kolegjit “ILIRIA” është hapur edhe ekspozita me vepra të fotografit të njohur, Asllan Krasniqit: “Grafitët e Lirisë – Faleminderit Amerikë dhe NATO!”, “Eksodi 99 me 99 fotografi”, “Luftë kundër harresës së gjenocidit të shekullit të kaluar”.
Për ekspozitën e fotografit të shquar shqiptar nga diaspora, Asllan Krasniqi, ka folur prof. Dibran Fylli, i cili ka thënë se fotografin Krasniqi e konsiderojnë me cilësi e veçanti si të vetmin fotoreporterë shqiptarë nga diaspora, i pranishëm në ngjarjet e fundit të tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës.
Ai ka thënë se shqetësimi i përhershëm i Krasniqit ka qenë dhe mbetet pasqyrimi fotografik i çdo ngjarje të asaj që ndodhi me popullsinë shqiptare gjatë vitit 1999.
Vendi i parë ku shkrepi aparati i Krasniqit ishte Turqia, ku fotografoi kryesisht mjediset e refugjatëve shqiptarë, si në Stamboll, Bursë, Inegöl, etj,.
Në vitet 1979, 1985 dhe 1992 ai bëri një cikël fotografish në ShBA: në Nju Jork, Uashington (Shtëpinë e Bardhë), Los Angelos, Hollywood, Beverly Hills, Santa Monica, Universal Studio, World Disneyland, etj., ku ka synuar të trajtojë gjithmonë tema dokumentare, sidomos ngjarje historike, artistike dhe kulturore.
Më shumë se 15 000 fotografi të serisë së eksodit janë të realizuara në vitin 1999.
Në këtë manifestim ka folur edhe fotografi Asllan Krasniqi, duke thënë se ndihet i privilegjuar të jetë i ftuar dhe i pranishëm në këtë ngjarje tradicionale dhe madhështore që organizohet për 14 vite rresht nga Kolegji “ILIRIA”.
Fotografi Krasniqi ka falënderuar Kolegjin “ILIRIA” për mbështetjen në lidhje me veprën dhe ekspozitën që i përkasin ngjarjeve më të rëndësishme në vende të ndryshme të botës.
Manifestimi “Ditët e Falënderimit të Kosovës për ShBA-të, zhvillohet më 25-28 Nëntor, kur festohet edhe Dita e Flamurit.
Të martën në këtë manifestim do të mbajnë një fjalë rasti Shawn Waddoups, drejtor i INL-së në Departamentin e Shtetit Amerikan, Ambasada e ShBA në Prishtinë dhe prof. dr. Muhamet Mala.
Programi ndër të tjera përmban edhe aktivitete kulturore dhe artistike. Sponsor medial i këtrj manifestimi është “RTV21”.
/Epoka e re/