Kolegji ISPE dhe Universiteti Seinajoki sjellin në Kosovë Fakultetin e Infermierisë
Kolegji ISPE ka nënshkruar të mërkurën marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Seinajoki në Finlandë, nëpërmes të cilës studentëve nga Kosova do t’ju mundësohet diploma të dyfishta, të vlefshme në Kosovë, Finlandë dhe vende të tjera të BE-së.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Këshillit të Kolegjit ISPE, gjenerali gjerman Volker Halbauer dhe presidenti i Universitetin Seinajoki, prof. dr. Tapio Varmola.
Palët nënshkruese janë dakorduar që të organizojnë një program të përbashkët të diplomës në Bachelor (3 vite e gjysmë) në fushën e infermierisë dhe kujdesit shëndetësorë dhe studentët të cilët diplomojnë në këtë program do të marrin diploma nga ISPE dhe nga Universiteti Seinwjoki në Finlandë.
Marrëveshja thotë se institucionet përkatëse gjatë lëshimit të diplomave të përbashkëta do të respektojnë plotësisht parimet dhe qëllimet e përcaktuara në Kornizën për Kualifikimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (EQF), legjislacionin në fuqi në të dy vendet, rregulloret dhe statutet e të dy institucioneve përkatëse etj.
Marrëveshja parasheh edhe shkëmbime akademike të studentëve dhe profesorëve dhe punë praktike në klinikat e Universitetit Seinajoki në Finlandë. Përveç infermierisë marrëveshja parasheh shkëmbime akademike në të gjitha programet që ofrojnë ISPE dhe Universiteti Seinajoki.
“Duke qenë se Evropa është duke kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm të zgjerimit dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor aspiron të bëhet pjesë e tij në të ardhmen, nevoja për programe arsimore që ofrojnë njohuri dhe kompetenca të duhura është me rëndësi të veçantë në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë në Prishtinë, drejtoresha e për Bashkëpunim ndërkombëtar e Universitetit Seinajoki, Helli Kitinoja.
Drejtoresha Kitinoja ka thënë se Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Seinajoki dhe Kolegji ISPE kanë për qëllim të ndjekin zhvillimin e programeve të ndryshme të bashkëpunimit dhe për të arritur këtë, dy palët janë pajtuar për shkëmbimin e ndërsjellë të stafit të mësimdhënies dhe hulumtimit me synimin e mbajtjes së ligjëratave, ushtrimeve, punës praktike, konferencave, projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe shkëmbimit të përvojave të tjera në fushën e interesave të përbashkët.
Ajo ka thënë se kjo marrëveshja ka përkrahjen e plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës së Finlandës dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë. “Kemi zhvilluar kontakte me ministritë e Arsimit në Finlandë dhe Kosovë dhe kemi përkrahjen e plotë të tyre, sepse ky projekt është me rëndësi për të dyja vendet”, ka deklaruar Kitinoja.
Marrëveshja parasheh edhe shpërndarjen dhe shkëmbimin e publikimeve dhe informacioneve për fushat specifike të studimeve dhe hulumtimeve.
ISPE dhe Universiteti Seinajoki janë marrë vesh edhe për mbështetje reciproke dhe bashkëpunim në rishikimin e kurrikulave ekzistuese me synimin për të ruajtur trendin e politikave të zhvillimit të arsimit në nivel lokal dhe ndërkombëtar dhe për të qëndruar në trend me nevojat e tregut të brendshëm dhe rajonal të punës dhe njohurive.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara Seinajoki në Finlandë është ndër më të njohur në botë në fushën e shkencave dhe teknologjisë. Sistemi finlandez i arsimit të lartë ndahet në universitete hulumtuese tradicionale, të cilat përqendrohen më shumë në kërkimet akademike dhe në universitetet e shkencave të aplikuara, të cilat theksojnë më shumë ndërlidhjen e kuadrove me tregun e punës.
/Epoka e re/