Kolegji ISPE i shkruan ENQA-s dhe EQAR-it për parregullsitë në arsimin e lartë
Ashtu siç ishte paralajmëruar në konferencën për media të javës së kaluar, pas marrjes së opinioneve nga profesorët, studentët, ekspertët e fushës së arsimit të lartë dhe publiku i gjerë, Kolegji ISPE e ka përgatitur letrën për Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), në të cilën siç thuhet në komunikatën e Kolegjit ISPE “prezantohen fakte të reja për parregullsitë dhe shkeljet ligjore në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim”.
“Përveç draftit të prezantuar javën e kaluar në letrën drejtuar ENQA-s dhe EQAR-it janë shtuar edhe këto fakte të cilat vijnë si sugjerim nga komuniteti akademik, pas publikimit të draftit të letrës dhe thirrjes së Kolegjit ISPE për komentim/sugjerim:
1. Në gusht të vitit 2017 Agjencisë për Akreditim kishte publikuar në faqen e saj një artikull ku kishte evidentuar se një numër i madh profesorëve që nuk i kanë plotësuar kriteret për të qenë në listat e stafit në programet akademike, përkatësisht kishin paraqitur dokumente false. Në të njëjtën kohë Agjencia e Akreditimit bënte me dije se të gjitha institucionet që kanë akredituar programe nga kjo listë profesorësh, ato programe do të tërhiqeshin. Deri më tani nuk ka asnjë informatë për ndonjë veprim të ndërmarrë nga AKA në lidhje me atë se çka ka ndodhur me ato programe. Jo rastësisht shumica e këtyre profesorëve janë pjesë e një kolegji që vazhdimisht privilegjohet nga MASHT-i, ministri Bytyqi dhe AKA-ja. Duke e fsheh këtë listë të programeve me të cilat ishin akredituar programe të caktuara kanë AKA ka krijuar monopol në arsimin e lartë privat në Kosovë dhe është e qartë se janë përdorë kritere selektive. Njëkohësisht të njëjtit emra profesorësh që nuk ishin pranuar për kolegje të caktuara, ishin pranuar për një kolegj tjetër, ose dokumentacioni që ishte cilësuar si jovalid për një Kolegj, ishte pranuar për tjetrin;
2. Njëri nga ish anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC-së (Bordit të AKA-së) në atë kohë kishte dhënë dorëheqje (Emër i njohur për ENQA dhe EQAR) për shkak të këtyre dhe parregullsive dhe të tjera që kanë të bëjnë me numrin e studentëve të regjistruar në disa programe të caktuara në Kolegjin e njëjtë. AKA as atëherë e as tash nuk ka ndërmarr asnjë veprim në lidhje me këto parregullsi dhe shkelje ligjore;
3. Akreditimet e dhëna në fushën e mjekësisë, pa ekzistencën e klinikave përkatëse. Si mund të përgatitet personeli shëndetësor pa klinika? Këtë përgjigje duhet ta japë AKA-ja dhe ministri Bytyqi për mosveprim”, është theksuar në komunikatën e Kolegjit ISPE.
Kolegji ISPE konstaton se pasojat që mund të vijnë nga kjo letër i bartin MASHT-i, ministri Bytyqi, pasi që ata për interesa të tyre, kanë shkelur në vazhdimësi ligjin, duke dëmtuar Kolegjin IPSE duke krijuar monopol për një Kolegj të caktuar.
“Mënyra se si qeveriset sot MASHT-i dhe Agjencia e Akreditimit do të ketë pasoja afatgjata për sistemin e arsimit në Kosovë, pasi që institucioni më i lartë (MASHT) po krijon favore të vazhdueshme për një kolegj dhe disa oligarkë përreth tyre, ndërsa po i dëmton kolegjet tjera, siç është rasti i ISPE, e cila të gjitha resurset e saj i ka investuar në cilësinë në arsim”, thuhet në komunikatën e Kolegjit ISPE.
Kolegji ISPE ka kritikuar edhe mediet në lidhje me heshtjen që po tregojnë në raport me punët në MASHT.
“Heshtja e disa mediave në Kosovë, nëpërmes pagesave të reklamave nga MASHT-i, me taksa të qytetarëve të Kosovës, nuk e rregullon sistemin arsimor në Kosovë, përkundrazi në këtë mënyrë arsimi në Kosovë po degradohet skajshmërish.
Gjithashtu, dhënia e fondeve publike, për organizata të dyshimta joqeveritare, për të krijuar opinion pozitiv për ministrin Bytyqi, nuk i zgjidh problemet në arsimin e lartë privat në Kosovë.
Vetëm respektimi i rregullativës ligjore, luftimit të monopoleve dhe oligarkisë, po ashtu edhe krijimi i barazisë në sektorin e arsimit të lartë, janë rruga e vetme për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e Kolegjit ISPE.
Ndërkaq ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kishte drejtuar akuza në adresë të Kolegjit ISPE për presionin që i kishte bërë MASHT-it.
“Kolegjit ISPE i bëj thirrje që të angazhohet në drejtimin e plotësimin e kushteve që parashihen me ligj dhe mos të bëj presion as ndaj Ministrisë, e as ndaj Këshillit”, kishte thënë ministri Bytyqi.