Kolegji “Mehmet Akif” organizon garën “Macpro Genius” 2018 (Foto)

18 mars 2018 | 15:44

Kolegji “Mehmet Akif” me përkrahje të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka organizuar garën “Macpro Genius” 2018 në nivel të Kosovës.

“Macpro”, që për këtë vit është e pesta me radhë, deri më tani është organizuar vetëm në kuadër të Kolegjeve “Mehmet Akif”, ndërsa këtë vit ka qenë i hapur edhe për shkollat tjera në Kosovë (për klasat e VIII e XII).

Gara është zhvilluar në këto kategori: art, mbrojtje e ambientit, dizajn industrial, IT, robotikë dhe dronë, film me metrazh të shkurtër dhe artikull.

Nga 267 projekte të paraqitura këtë vit në këtë garë fillimisht u përzgjodhën 237 projekte, të cilat nxënësit i kanë përgatitur në bashkëpunim me mësimdhënësit. Prezantimi i projekteve është bërë në sallën e ekspozitave të Pallatit të Rinisë.

Vlerësimi është bërë në dy grupe.  Në njërin grup janë vlerësuar projektet e nxënësve të Kolegjeve “Mehmet Akif” të cilët prezantimet e tyre i kanë bërë në gjuhën angleze, ndërsa në grupin tjetër projektet e nxënësve të shkollave pjesëmarrëse të cilët prezantimin e kanë bërë në gjuhën shqipe. Juria ka qenë e veçantë për secilin grup.

Dy shpërblimet e para me pika më të larta të “Macpro Genius” do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën Genius në ShBA.

Gjatë programit final në fjalën e tij të rastit zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Kolegjeve “Mehmet Akif”, Yusuf Karabina, ka thënë se deri më tani me këto projekte kanë marrë pjesë në gara të ndryshme ndërkombëtare të mbajtura në vende të ndryshme si në ShBA, Holandë, Indonezi, Keni, Rumani, Kazakistan në të cilat nxënësit nga Kosova i kanë sjellë 224 medalje. Këtë vit 21 projekte janë shpërblyer me medalje të artë dhe me çmimin ‘Grand’ me nga 100 euro.

Dy projektet me pika më të larta që kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Olimpiadën Genius në Amerikë janë: Projekti i quajtur “Stop Racism” në kategorinë Environment Short Movie nga nxënësit Kledi Zherka dhe Hamez Zymberi, si dhe projekti “Plantacioni i mandarinës” në kategorinë Robotic nga nxënësit Artin Ahmeti dhe Rion Recica.

Organizimi i “Macpro”-s ka për qëllim motivimin e talentëve të rinj dhe përzgjedhjen e projekteve me të cilat institucionet arsimore “Gulistan” e përfaqësojnë Kosovën në gara të ndryshme ndërkombëtare.


Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e fundit e marsit si gjithmonë sjell edhe ndryshimin…