Kolegji Zgjedhor: Dekreti i Metës, i pavlefshëm
Kolegji Zgjedhor i Shqipërisë ka zbardhur argumentet mbi të cilat duke rrëzuar kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar ka konfirmuar edhe njëherë se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor.
Duke mbajtur në konsideratë edhe dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si edhe mohimit që i bëhet të drejtës për të votuar, kolegji ka trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe dekretin e presidentit Meta që anuloi zgjedhjet.
Kolegji Zgjedhor ka thënë shprehimisht se dekreti i dytë i presidentit Meta ka shfuqizuar dekretin e datës 5 nëntor 2018 është akt absolutisht i pavlefshëm.
Për këtë argument, ky kolegj i është referohet edhe kompetencave që ka presidenti për sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, nën parashikimet që cakton Kodi Zgjedhor mbi afatet dhe periudhën zgjedhore.
Në këtë kontekst, Kolegji Zgjedhor ka theksuar se në mungesë të një kompetence të shprehur me ligj, çdo kompetencë tjetër bie ndesh me Kushtetutën.
Bazuar në qëndrimin e KQZ-së, Kolegji ka theksuar se dekretimi duhet bërë jo më vonë se nëntë muaj dhe për këtë shkak presidenti ka kompetencë të kufizuar tej kësaj kohe.
Sipas këtij kolegji, presidenti Meta as mund të ndryshojë edhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, ndaj dekreti i dytë konsiderohet në shkelje të hapur dhe flagrante me Kodin e procedurave administrative, raporton “TCh”.
Kolegji ka theksuar se vetëm ligji mund ta lejojë presidentin të shfuqizojë datën e zgjedhjeve sikurse ka ndodhur në vitin 2007, kur Kuvendi ishte detyruar ta ndryshojë Kodin Zgjedhor për ta mundësuar diçka të tillë.
Në vijim të këtyre argumenteve, Kolegji Zgjedhor ka konsideruar se presidenti i Republikës përmes anulimit të datës së zgjedhjeve ka marrë kompetencat e Kuvendit.
Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë theksuar se vendi për anulimin e datës se zgjedhjeve shtetasve shqiptarë, iu mohohet e drejta e votës bazuar, në praktikat e Komisionit të Venecias por edhe mbi parimet bazë të trashëgimisë elektorale evropiane.