Koleksioni i fermanëve turke të Kishës së Deçanit

04 gusht 2023 | 16:11

Nga Faton B. Mehmetaj

Dokumentet më të rëndësishme për kishën e Deçanit janë tri versionet e krisobulave të Deçanit, dorëshkrime në pergamenë që nga viti 1330. Lidhur me dokumentacionin e vjetër në kishën e Deçanit, ishte botuar një monografi për këto krisobula e Pavle Ivić i Milica Graković, Dečanske hrisovulje, e botuar në Novi Sad  në vitin 1976.  Këtu do të përmenden disa dokumente tjera serbe që janë ruajtur në bibliotekën e kësaj kishe deri më sot, mes tjerash 5 libra të shkruar me dorë, dhe afër 50 libra nga autorë të ndryshëm anonim, sa janë ruajtur dikur në bibliotekën e kishës së Deçanit me çka merret veshë se kjo kishë ka qenë e pasur dhe e fortë në kohën e Lazareviqëve dhe Gjuriq Brankoviqit, ku janë shkruar e përkthyer shumë libra origjinale.

Në mesin e këtyre dokumenteve të kishës së Deçanit (është edhe një dokument në gjuhën greqishte) që më tepër është i karakterit juridik dhe përmbajnë akte juridike-private për çështjet e brendshme-interne të kishës, pasi që në Mbretërinë Turke administrata zyrtare është udhëhequr vetëm në gjuhën turke deri në vitet ’70-të të shek. XIX, kur u lejua përdorimi i dokumenteve në të dy gjuhët. Më herët, shumë libra në dorëshkrim të manastirit të Deҫanit janë dërguar në Rusi e vende të tjera.

Dokumentet tjera të kësaj kishe mund të ndahen në dokumente për të mbledhur ndihma në popull për kishën, siç janë letrat për ndihmat e kishës (pisanija), letrat (parusija) që kishtarët deçanas u drejtoheshin arhimandritëve, igumenëve, fetarëve, oborrtarëve, haxhinjëve, zejtarëve, lavërtarëve dhe të gjithë të krishterëve pravosllavë që, përmes bartësit të pasurisë, i cili ka me vete Kryqin e Nderit, shkruhet (regjistrohet) në Proskomidi, në Listën e përgjithshme, në Parusi, sepse manastiri deçanas për shkak të meremetimit të disa pjesëve kishte rënë në borxhe. Prandaj kërkohet ndihmë. Dokumentet tjera të tilla janë: dokumentet e pasurisë-pronës, siç janë defterët, protokollet, librat e të dalave (shpenzimeve) dhe në fund diptihet (kujtime) që paraqesin një grup të veçantë dokumentesh.

Për nga forma që kanë, këto dokumente ndryshojnë nga njëra-tjetra. Kështu, bie fjala, letrat e rregulluara si dëshmi për të mbledhur ndihma për kishën në terrenet e kishave të tjera, janë shkruar vetëm në një fletë letre të dimensioneve të mëdha, ndërsa të tjerat kanë formën e broshurave ose edhe të kodekseve të lidhura me kopertina lëkure.

No description available.

Parastos (diptik) arqipeshkve, mitropolitëve serbë dhe kryemurgjve të Deçanit. shek. XVI, DK-360

Dokumentet në fletë letre janë si leje që arsyetonte personin zyrtar të kishës për t’i mbledhur ndihmat, përshpirtjet etj. Janë të shkruara me një kaligrafi të bukur e veçmas Parusija që është edhe më e pasur me zbukurimin e miniaturave.

Grupi i dytë i dokumenteve të kësaj kishe kanë formën e fletoreve (broshurave) dhe të librave, pas përdorimit që kanë janë të një natyre shumë interne dhe kanë përdorim praktik (janë teftere, regjistrime të pasurisë, regjistrime të çifçinjëve etj., prandaj janë thjeshtë të  punuara dhe pa kurrfarë zbukurimesh). Vlera e këtyre dokumenteve varet nga përmbajtja që e kanë. Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve janë të shek. XIX dhe kanë rëndësi për njohjen  e të dhënave për pozitën ekonomike-financiare të manastirit të Deçanit, dhe të popullatës përreth në atë periudhë historike. Gjenden në këto dokumente, përveç të tjerësh, edhe Tefteri për tokën e Deçanit; Tefteri për pasurinë (e kishës) në fshatin Deçan; Tefteri për pasurinë e tokës në fshatin Isniq; Regjistri i çifçinjëve të manastirit të Deçanit; Tefteri për tokën në Isniq; Protokolli për tokën Bivolak në Isniq; Protokolli i manastirit të Deçanit; Librat e daljeve (rashoda) shpenzimeve të manastirit të Deçanit, që janë tri të tilla; Panduks -lejeqarkullim për mbledhjen e lëmoshave-përshpirtjeve në terren; Letra e Stefan Ristiqit për Pisanin, po ashtu gjenden edhe dy letra të tilla për Pisanin.

No description available.

Dokument osman i vitit 1716 mbi banorët shqiptarë të Deçanit, Lloçanit dhe Carrabregut

Pesë dokumente të këtij manastiri janë Diptihët (Pomenik): Pomenik i arhiepiskopëve, mitropolitëve dhe jeromonahëve serbë të Deçanit; Diptih (pomenik) i protopapëve, prezviterëve, gjanokëve, bojaxhinjve dhe qytetarëve; Diptih (pomenik) i të bashkëngjiturve për ndihmë (Rab dhe Raba); Diptih (pomenik) i arhiepiskopëve dhe jeremonahëve serbë të patrikanës së Pejës si dhe një Diptih (pomenik) i epitropëve deçanas i shek. XIX.

Këto dokumente serbe të kishës së Deçanit, kujtoj, nuk janë trajtuar ndonjëherë nga hulumtues vendas e as të tjerë, pos që i përmend autorja e librit “Riznica e Deçanit” Mirjana Shakota. Këto dokumente janë burimorë dhe kanë rëndësi të madhe për njohjen e brendisë së tyre dhe mund të shërbejnë si burim për njohjen e historisë së trevës së Deçanit me rrethinë. Kur bëhet fjalë për arkivin e Manastirit të Deçanit duhet cekur se një pjesë e arkivit të këtij manastiri në vitin 1981 është bartur në Beograd. Por ka raste kur në disa shkrime tjera të shkruara në pergamenë në shek.

No description available.

Ferman i Mehmedit IV. 1649. DK-211

XIV, vërtetojnë se zjarri i shkaktuar në kishë nuk është shkaku kryesorë i humbjes së disa mjeteve të riznicës së Deçanit, sepse dikush nga personeli e ka shfrytëzuar rastin e rënies së zjarrit në manastir për ti marrë ato gjëra sigurisht të çmuara. Sidoqoftë këto dokumente, nëse lejohen për ti studiuar dhe interpretuar, janë të rëndësishme për historikun e Deçanit, sidomos gjatë sundimit turk, por u shërbejnë edhe studiuesve për ta ndriçuar një periudhë disashekullore të historisë së shqiptarëve të kësaj treve e më gjerë. Sidoqoftë dokumentet në dorëshkrim të bibliotekës së kishës së Deçanit duhet vështruar e peshuar me kujdes, pasi që shumica prej tyre janë dhënë me abet (alfabet) cirilik e disa më vonë të shek. XVI e XVII paraqiten me alfabet të përzier, me shkronja greke e ruse, e me një gjuhë të dobët të serbishtes.

Kisha e Deçanit ka një koleksion të pasur të akteve në gjuhën turke. Këto dokumente janë ruajtur në këtë kishë gjatë tërë sundimit të Perandorisë Osmane-turke në këto treva shqiptare. Kanë qenë këto akte zyrtare të domosdoshme për ekzistencën e kësaj kishe, për pasurinë e saj si dhe për dëshminë e të drejtave ekonomike dhe prejardhjen e këtyre të drejtave që nga fillimi i pushtimit nga turqit. Në arkivat e Manastirit të Deçanit, janë ruajtur pos dokumenteve tjera një numër i konsiderueshëm i fermanëve dhe dokumenteve të tjera nga periudha e perandorisë osmane duke përfshirë këtu edhe burullditë, huxhetat, muraselat, izna (lejet) e dokumente të tjera që ishin të domosdoshëm për mbijetesën e manastirit, patundshmërive dhe pasurive të tij. Për ti ruajtur këto privilegje Manastiri i Deçanit pranon vasalitetin e Turqisë që zgjati me shekuj. Vasaliteti i Kishës ortodokse serbe fillon menjëherë pas depërtimit turk në Ballkan, me theks të veçantë pas Betejës së Kosovës (1389), kur kisha ortodokse serbe e kishte pranuar zyrtarisht vasalitetin e Sulltanit.

No description available.

Ferman i Sulltan Sulejmanit që liron nga taksat Kishën e Deçanit. (shkruar në Konstandinopojë në vitin 1539

Në këtë kohë Kisha ortodokse serbe e ndihmuar edhe nga sulltanët, pashallarët, kaditë e personalitetet e tjera të Perandorisë turke filluan një fushatë të egër dhe mjaft të gjatë për serbizimin e shqiptarëve ortodoksë, dhe konvertimin e shqiptarëve katolikë në ortodoksë. Në këtë kohë shumë feudal lokal serb filluan të lidhin marrëveshje paqeje me Perandorinë osmane. Ndër të parët që lidhi marrëveshje ishte Knjaz Llazari, i cili në shenjë besnikërie ndaj Perandorisë Osmane, Sulltan Pajazitit i jep për grua vajzën e tij Olivera Llazareviqin në vitin 1390, pikërisht kur nënshkruhet kontrata e vasalitetit të Serbisë ndaj Perandorisë Turke. Sipas Konstantin Jeriçekut njëri nga historianët më të mëdhenj të Ballkanit, në librin e tij “Histori e Serbisë”, shkruan se kur Sulltan Mehmeti i II-të rrethoi Kostandinopojën në pranverën e vitit 1453, despoti serb Gjorgje Brankoviqi i dërgoi si ndihmë 1500 ushtarë serb dhe një njësi minatorë të Novobërdës për t’i vënë minat poshtë mureve rrethuese të qytetit.

Trupat e Brankoviqit ishin të parat që depërtuan brenda kryeqytetit bizantin në mëngjesin e 29 majit. Në shenjë të mirënjohjes Sulltani i dërgoj Brankoviqit një pjesë të plaçkave të fitores dhe marrjes së qytetit. Në fondin e dokumenteve që janë ruajtur në arkivat e Manastirit të Deçanit janë edhe vendimet e Sulltan Bajazitit II dhe Sylejmanit të Madhërishëm nga shekulli XVI, deri tek dokumentet e sulltanëve të cilët kanë sunduar deri në fund të shekullit XIX. Vlen të theksohet se kisha e Deçanit siç u tha, ishte e mbrojtur me fermanin e Sulltan Sylejmanit (ligjvënësi) të vitit 1539, dërguar kadiut të Pejës me urdhër për ta mbrojtur atë (kishën) nga spahinjtë, të cilët, pa ligj, kërkojnë prej igumenit të asaj kishe tatime sikur të ishte ai “raje” e jo igumen i kishës. Sulltan Sylejmani ishte i martuar me një grua ruse e quajtur Aleksandra Anastazia e cila edhe babanë e kishte prift ortodoks.

No description available.

Pandahus gjendet në arkivin e Kishës së Deçanit, gjysma e parë e shekullit XIX, DK-350

Në këtë periudhë ndikimi serb i përkrahur nga Perandoria Osmane merr hov të madh. Po në këtë periudhë ishte edhe ndikimi i madh i kishës ruse në hapësirat e Ballkanit. Veziri i madh i Perandorisë Otomane, serbi Mehmet Pashë Sokoloviç (1506-1579), me urdhër të Sulltanit rindërtoi Patrikanën e Pejës, caktoi të vëllanë Makarie Sokolloviç, peshkop të Patrikanës së Pejës, duke i dëbuar priftërinjtë ortodoksë arbërorë, por edhe ata bizantinë nga manastiret arbërore, sipas marrëveshjes me Sulltanin. Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit me ferman të sulltanit iu dhanë në administrim priftërinjve sllavë, duke i dëbuar priftërinjtë arbërorë, (megjithëse sllavë (serbë) në Pejë e në Deçan nuk kishte fare në atë kohë). Patrikana e Pejës është shembull tipik kur një kishë e arbërorëve u bë kishë serbe me dekret të sulltanit dhe nën ndikimin e Mehmet Pashë Sokoloviqit, kryevezir turk me prejardhje serbe. Ai ia doli ta bindte Sulltanin për ta pavarësuar Kishën Ortodokse Serbe dhe siç dihet, edhe serbët përfituan nga kjo situatë. Gjithsesi në këtë mes ndërthureshin edhe interesat e Perandorisë Turke e cila punonte dhe kishte bërë plane e platforma të shumta për ti kthyer shqiptarët në myslimanë. Për ta arritur më shpejt këtë qëllim turqit e përdorën edhe ndikimin e Patrikanës së Kostandinopojës që në ato kohëra ishte vasale e Perandorisë Osmane. Pikërisht në këtë kohë priftërinjtë sllavë në marrëveshje me sundimtarët turq nisën t’i terrorizojnë e t’i trajtojnë skllevër duke përfshirë këtu shqiptarët e dy besimeve ata ortodoksë dhe të krishterë. U bënë shumë përpjekje për të shpëtuar pa u konvertuar, por me kalimin e kohës mbeten pak të atillë pa u konvertuar. Ata një herë e kërkuan mbrojtjen e sulltanit, por kur kjo mbrojtje u mungoi, atëherë u konvertuan në myslimanë, ose ikën maleve, në Bjeshkët e Nemuna e vende tjera. Fermanët dhe dokumentet turke që gjenden në arkivat e manastirit të Deçanit paraqesin një pjesë të administratës së Perandorisë Osmane në vendet e Ballkanit Perëndimor e më gjerë në të cilat përfshihen mjaftë ngjarje të rëndësishme të kohës. Një ferman të rëndësishëm që gjendet në Manastirin e Deçanit e shkroi Sulltan Mehmeti i III-të sa ishte në llogarinë e tij në Zemun, në kohën kur luftonte me Austrinë, luftë kjo që zgjati 7 vjet.

FERMAN I SULLTAN MEHMEDIT III

Bojë e zezë në letër, me trugë në krye, 21,5×47 cm.

Shkruar në Stamboll, në vitin 1601

Signatura DK-202

Dërguar kadiut të Altun-Ilisë* (*Altun-Ilia është quajtur teritori i Junikut) Me qenë se edhe më tej te manastiri mbahen panagjyret ku populli dehet, grinden me njëri-tjetrin dhe bëjnë rrëmujë, ndërsa tubohen edhe njerëz jashtë ligjit, të cilët pinë, rrahen e bëjnë zullume, pastaj vijnë mirallajët e vojvodët dhe e ngarkojnë manastirin me dënim për këtë, duke mos pasur parasysh se manastiri posedon huxhetin e sheriatit. Sulltani kërkon që rasti të hetohet dhe nëse kjo është e vërtetë, të ndërmerren masat më energjike në mënyrë që kjo të pengohet në të ardhmen, e fajtorët të dënohen. Shkruar në dekadën e parë të ramazanit* (*muaji i nëntë i kalendarit islam) të vitit 1009 (6-15. III 1601) në Stamboll. (Në faqen e pasme të dokumentit: serbishte e vjetër, nuk kuptohet).

Për ruajtjen e Manastirit të Deçanit gjatë sundimit osman ka mjaft dokumente, sidomos urdhëresa nga sulltani, nga vezirët e pashallarët e mëdhenj turq, të cilët urdhëronin të mos i bëhej asnjë dëm manastirit. Një goditje tjetër nga Perandoria Osmane në bashkëpunim edhe më elementin serb të kohës ndaj popullit të rajonit të Dukagjinit e më gjërë nisi me valën e dytë të islamizimit dhe të serbizimit të popullatës arbërore të këtyre anëve. Ky plan ishte kurdisur nga Perandoria Osmane, (kuptohet nga përfaqësuesit e saj), dhe serbëve që i përfaqësonte kryeveziri turko-serb, Mehmet Pashë Sokoloviqi. Popullata arbërore e besimit të krishterë organizuan një kryengritje për t’iu kundërvënë terrorit të priftërinjve sllavë e zaptive turq që e mbronin Patrikanën të uzurpuar, mirëpo për ta shtypur këtë kryengritje ndërhyri garnizoni turk i qytetit të Pejës, duke i vrarë kryengritësit e duke e masakruar popullatën katolike, kurse në anën tjetër u dolën në ndihmë serbëve të deleguar nga Stambolli. Pasi ushtria e garnizonit turk në Pejë e kishte shtypë kryengritjen, një pjesë e popullatës vendase ikën maleve që të mos nënshtrohen, ndërsa një pjesë tjetër pasi iu nënshtruan një terrori të paparë u detyruan të kthehen në fenë islame, kurse shqiptarët ortodoks të ritit bizantin u konvertuan në ortodoksinë serbe. Gjeneza e këtyre veprimeve datonte nga shekulli XIV, kur trojet e arbrit, u pushtuan nga serbët.  (Vijon)

No description available.

Ushtria osmane, mbrojtëse e manastireve të Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roberto De Zebri, trajneri i Brighton, nuk i ndahet Kristjan…