Koleksioni i fermaneve turke të Kishës së Deçanit (II)
Faton B. Mehmetaj
Politika e carëve serb kundër popullsisë katolike të viseve arbërore, u intensifikua në kohën e sundimit të mbretërve Stefan Uroshi II (1282-1321), Stefan Uroshi III (1322-1331) dhe te Stefan Dushanit (1331-1355). Këta tre mbretër serb e fuqizuan mbretërinë serbe dhe e përkrahën kishën ortodokse, sidomos pas emërimit kryepeshkop të Savës që ishte djali i vogël i mbretit Stefan Nemanja, për mes të cilit u fuqizua kisha greko-sllave mision ky që u vazhdua nga krypeshkopi Arsenije I-rë. Kjo periudhë përkon me prishjen përfundimtare të marrëdhënjeve të Serbisë me Papatin dhe me fuqitë katolike, si me mbretërinë e Hungarisë dhe me anzhuinët francezë. Kundër banorëve arbëror katolik siç shkruhej edhe në “Kodin e Stefan Dushanit” te viti 1349, shpallej hapur prishja e kishave nëse ata nuk ktheheshin në ortodokse, sekuestrimi i pasurisë, damkosja me hekur të nxehtë e klerikëve dhe banorëve, që refuzonin të ktheheshin ne ortodoks, dëbimi nga trojet e tyre e deri denimi me vdekje. Kjo situate e rëndë, përshkruhet me shqetësim nga kardinali Guido, në një letër dërguar Propogandës Fide në vitin 1350, i cili ankohet për masakrimin nga serbët të popullit të arbërit.
Duke i konsideruar arbërit katolikë, si elemente destabilizues dhe aleatë të Papës dhe të mbretërive përendimore, carët serbë zbatuan një politikë të egër, që erdhi duke u përpunuar dora-dorës dhe që gjeti shprehje të qartë. Disa nene të kodit te Dushanit, i kushtoheshin “shkuljes së herezisë katolike” dhe masave te rrepta kundër besimtarëve e klerikëve katolikë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe. Dokumente të shumta të asaj kohe, provojnë se këto masa kundër katolikëve në kodin e së drejtës mesjetare serbe, u zbatuan me egërsi, çka provokoj rrebelim dhe kryengritjet e popullsisë arbërore, të shoqëruara me protesta të ashëpra të Papatit, që arrijti të bëj thirrje për organizim të kryqëzatës perëndimore për të shpëtuar popullsitë katolike nga shtypja e mbretërve “skizmatikë” të Rashës. Sikurse Perandoria Osmane që ndërmirrte masa drastike për ti islamizuar shqiptarët, të njëjtën gjë e bënte edhe kisha ortodokse, edhe këta i përdorën të njëjtat presione ndaj shqiptarëve që të kalonin në këtë fe, (në fenë sllave serbe). Për ti vërtetuar pohimet e lartëcekura po i përmendim disa të dhëna të akademikut serb Jovan Radoniq i cili ndër të tjera thotë: “Më 1662 priftërinjtë katolikë i janë drejtuar papës nëpërmjet misionarit Cezar Roza duke e lajmëruar këtë se patriku i Pejës ka marrë nga sulltani autorizime me të cilat të gjithë katolikët e Turqisë vihen nën pushtimin e tij. Këtyre u është ndaluar që t’i drejtohen Romës për mbrojtje, duke iu kërcënuar se nëse e bëjnë këtë gjë, do të dënohen me ngulje në hu”. Arqipeshkvi i Shkupit Andrea Bogdani, lajmëron nga Janjeva me 1.XI.1664, Kongreacionin në Romë duke thënë: “Ortodoksët janë armiq të tërbuar të katolikëve njësoj si turqit. Patriku, i cili rri në Graçanicë, vetëm një milje larg Janjevës, përpiqet që t’i zhdukë katolikët. Ai kërkon nga katolikët tatime krejtësisht të tjera nga ato që u paguajnë turqve”. Nga ana tjetër, ekzistojnë dokumente historike që dëshmojnë se gjatë sundimit Osman kisha ortodokse në Kosovë ka pasur privilegje shumë të mëdha. Patriku i Pejës me dhurata të shumta, me ryshfete dhe me shërbime të tjera që i bënte sulltanit dhe autoriteteve të pushtetit turk në këto anë, ka arritur të fitojë simpatinë e tyre dhe përkrahjen e plotë. Popullsia shqiptare e këtyre viseve që ende e kishte ruajtur besimin e vet të vjetër katolik ka vuajtur më tepër nga kleri e patriku ortodoks i Pejës sesa nga pushteti turk. Se gjendja nuk ka ndryshuar shumë prej kohës në kohë, gjatë sundimit turk e paraqesin edhe dy fermane të vitit 1600 të cilat tregojnë se rrethanat e jetës së kishës në atë kohë nuk kanë shumë dallim nga shekujt e mëparshëm. Sa herë që u keqsohej gjendja kishtarëve deçanas për shkak të problemeve që i nxisnin me fshatrarët e fshatrave për rreth Deçanit të cilat nuk mund ti rregullonin vet, shkonin në Stamboll dhe vajtonin tek zyrtarët e perandorisë për ti ndrequr punët e tyre, dhe prej andej vinin me fermane për mbrojtjen e interesave të tyre nga “zullumi” (dëmi) që siç thoshin ata, ua bënin popullata shqiptare. Ankesa të tilla lidhur me këto probleme kishte bërë edhe Igumeni Sergije, i cili e drejtonte kishën asokohe. Pas ankesës së Igumenit Sergije në Stamboll kundër shqiptarëve të Deçanit me rethinë për prishjen e qetësisë rreth kishës, Sulltan Mehmeti IV përmes një fermani që ishte dhënë ndërmjet 6 e 16 shtatorit të vitit 1649, menjëherë pas ankesave të igumenit, përkitazi me tubimin e madh që ishte bërë me rastin e festës së Gospogjin më 28 gusht i kishte sqaruar të lartëcekurit për këto probleme dhe kishte cekur se kush do që i then ligjet e vendosura nga perandoria ndeshkohet. Ne mesin e këtyre fermaneve dhe akteve tjera të pushtetit turk të kohës, ka të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se edhe vet personeli kishtar i Kishës së Deçanit i thente rregullat dhe ligjet kishtare. Një ngjarje e tillë kishte ndodhur në vitin 1776, ku vet predikuesit e fesë ortodokse kanë bërë gabime e punë të palejuara në kishën e Deçanit.
Kështu, bie fjala, kallugjeri Metodije, i cili në vitin 1772 ishte betuar për besnikëri ndaj manastirit, e kishte shkelur fjalën e dhënë dhe, ndihmat e mbledhura për kishën, i kishte marrë për vete, me çka kishte bërë një (“punë të keqe e cila nuk i përkiste”), “pħaba geлa koja my нe прuлire”. E Fermani i sulltanit urdhëronte mytesarifin e Qarkut të Dukagjinit, që kallogjeri të arrestohej, të hollat (paratë) t’i merren, ndërsa ai të internohej e të mbyllej në manastirin Kallafat në Sveti Gora.
Nga gjysma e dytë e shek. XIX e veçmas pas largimit të turqve nga Ballkani në vitin 1912, këto dokumente turke janë burimi kryesor për të mësuar jo vetëm historinë e manastirit të Deçanit, por edhe shumë më gjërë, për t’i njohur edhe rrethanat ekonomike-politike dhe pozitën juridike të kishës serbe nën qeverinë turke. Shumica e këtyre dokumenteve, sidomos ata që për kishë ishin të rëndësishëm, kanë në fund të tyre ose në anën e kundërt një referencë, një sqarim rreth përmbajtjes së dokumentit të shkruar edhe nga monahu ose igumani në gjuhën serbishte. Disa prej këtyre dokumenteve i përktheu konsulli rus në Prizren J. S. Jastrebov në vitet shtatëdhjetë të shek. XIX. Në vitin 1920 Mehmet-beg Sylejmanpashiq nga Travniku, duke kërkuar (gjurmuar) udhëheqësin e kishës Leontije Nivakoviq-in, i përktheu në gjuhën boshnjake të gjitha dokumentet turke që gjendeshin në kishën e Deçanit. Nga këto të dhëna mund të thuhet se nuk janë përkthyer të gjitha dokumentet e zënë ngojë këtu më sipër dhe aq më pak janë studiuar e publikuar, gjë që sjellë mangësi të shumta për studimin e kohës së Mesjetës në këto anë. Këta dokumenta janë shumë të qarta, meqë është dhënë saktë koha dhe vendi, kur ata janë shkruar. Me përmbajtjen e shkurtër që kanë këto dokumente të kishës, mund t’u shërbejnë studiuesve të rinjë-historianëve dhe orientalistëve që duke i shfrytëzuar këto dokumente, t’i zgjerojnë njohjet e tyre për rrethanat e kohës së Mesjetës për këto treva. Ndër dokumentet turke më të rëndësishme të ruajtura në kishën e Deçanit janë fermanet (Urdhër i Sulltanit, urdhëresë, dëshmi) dhe beratet (Dekret i Sulltanit, dekret mbretëror përmes të cilit u ndahen-jepen titujt, dekoratat, privilegjet ose të mira tjera ), që ka gjithsejtë 65 sosh. Këto dy farë dokumentesh janë lëshuar përnjëherësh, prandaj janë të përziera kuptimet e tyre, ndaj ka pasur mjaft paqartësi nga studiues të ndryshëm në përcaktimin e termave se cili nga këto akte është ferman e cili berat.
Fermanet dhe beratet e hershme te shek. XVI, kanë qenë të dimensioneve të vogla-gjerësia 15-20 cm. e gjatësia sipas nevojës. Janë shkruar me ngjyrë (majstillë) të zezë dhe janë terë jo me letër thithëse, por me rërë ari të imët që është hudhë mbi letrën e posashkruar. Fermanët e mëvonshëm, të shek. XVIII e veçmas të shek. XIX janë të dimensioneve të mëdha, të gjerë më se gjysmë metri e të gjatë përtej 75 cm. Ka qenë një kohë sidomos gjatë shek XVII kur aktet e fermanit të sulltanit nuk kishin ndonjë vlerë, apo kishin pak efekt, sepse sundonin ligjet e të fortit me të cilat ligje deçanasit (kisha) ishte e njohur që nga shekujt e mëparshëm.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve paraqet akte zyrtare të mbrojtjes së kishës dhe të vendit, që sulltanët turq përpiqeshin ta ruanin rendin dhe sistemin ligjor në perandorinë e tyre të gjerë. Përsëritja e urdhrave nënkuptonte faktin se drejtimi i pushtetit nga Stambolli i largët nuk ishte gjithaq efikas në provincat e largëta. Kjo do të thotë se problemi i kishës së Deçanit, përsa i përket pasurisë së patundshme të saj, ishte i njëjtë si gjatë shek. XVI, si në shek. XIX. Feudalët vendas kërkonin ndonjëherë taksa edhe nga kisha, e cila me ligjet e pushtetit turk ishte e liruar nga taksat. Për këto shkaqe kishtarët deçanas kanë kërkuar ndihmë nga Porta e Lartë, prandaj këtij problemi iu kanë kushtuar 13 fermane për një kohëzgjatje prej vitit 1506 e deri në vitin 1789. Fermani më i hershëm i vitit 1506, i Sulltan Bajazitit II, i ruajtur në kishën e Deçanit, vërteton se subashët (Tagërmbledhës – ai që mbledh taksat për beglerët dhe agallarët) dhe timarxhinjtë (Timarxhinjtë – timare – prona feudale ) kanë kërkuar nga manastiri të dhjetën e sonës dhe të druve, për çka mitropoliti i Pejës, Joanikija, është ankuar. Në ferman dërguar kadiut të Pejës, shkruan më tej se gjendja duhet të shikohet dhe, në qoftë se janë të sakta të dhënat e mitropolitit, në të ardhmen duhet ndaluar veprimin e subashëve e timarxhinjëve ndaj kishës së Deçanit, pasi që taksat e tilla janë ngarkesë për rajen, ndërsa kallogjerët dhe kishtarët nuk janë “raje e askujt”, ndaj nuk janë të detyruar të paguajnë taksa. Problemi tjetër i kishës (që paraqitet në këta fermanë) ishte çështja e trashëgimisë së pasurisë së popave, monahëve e metropolitëve pas vdekjes së tyre. Deri në kohën e këtij fermani të vitit 1506, pasuria e tillë e udhëheqësve kishtarë i takonte vetëm kishës, ndërsa në këtë kohë (të këtij fermani) u paraqit trashëgimia familjare që pasardhësit trashëgonin këtë pasuri e jo kisha. Ky problem i kishës së Deçanit, sipas dokumenteve në shqyrtim, ka qenë aktual mëse 300 vjet rresht. Akti më i vonshëm për këtë është fermani i vitit 1806. (Dok. nr. 8 i shkruar në Stamboll në vitin 1806 (turqisht i shkruar në muajin xhemaziul-ahira 1221). Fermanët e tillë janë dhënë, në të shpeshtën e rasteve, si përgjegje e lutjeve të episkopëve dhe mitropolitëve, të dërguar në Portën e Lartë zakonisht përmes Sinodit të Shenjtë të kishës greke, nën juridiksionin e së cilës ka qenë edhe kisha e Deçanit, pasi që iu hoq kjo detyrë patrikanës së Pejës në vitin 1766. Ka mjaft akte të tilla, afër 17 sish janë shkruar në periudhën 1783 deri më 1815, që kanë të bëjnë kryesisht me vërtetimin e të drejtave të mitropolitëve në mitropolitë (dioçezat) e tyre, pa ndërhyrjen e organeve civile të qeverisë turke. Disa dokumente të tillë kanë të bëjnë me lejimin e mbledhjes së ndihmave dhe tatimit kishtar, si dhe të lejohej kryerja e shërbimeve fetare nëpër shtëpitë private, pasi që siç dihet, në shek. XVIII, nuk kanë vepruar shumë kisha në trevat e mitropolisë së Novi Pazarit, ndaj lutjet fetare është dashur të mbahen nëpër shtëpia. Një hap i madh për riorganizimin e kishave ortodokse serbe është edhe akti i Sulltan Mustafës i vitit 1808, i cili përmes një berati urdhëron bashkimin e mitropolisë prizrenase me atë të Novi Pazarit, ndërsa mitropoliti Joanikija të mbetet mitropolit-udhëheqës i mitropolisë së Prizrenit, Novo Bërdës, Prishtinës, Pejës, Vuçitërnës, Gjakovës, Novi Pazarit, Trgovishtës (Rozhajës) dhe Mitrovicës. Dokumenti ka një pamje të bukur. Është ky dokumenti më i zbukuruar dhe më i larti i fermaneve në kishën e Deçanit.
BERAT I SULLTAN MUSTAFAIT IV
Shkruar me bojë të zezë e të kuqe e ar në letër, tugra është e artë, ngjyrosur me temper të kuq, të kaltër e të kaftë. Pjesa e epërme e mveshur me mëndafsh, 140×50,6 cm.
Shkruar në Stamboll në vitin 1808.
Signatura DK-13.
Në pjesën e epërme të dokumentit është turga, e kaluar me një trekëndësh të mbushur me motive lulesh dhe vizatime ari. Majtas e djathtas lart janë dy lule të kuqe trëndafili dhe dy selvi të arta.
Me kërkesën e patrikanës së Stambollit, bashkohen mitropolitë e Prizrenit e Novi Pazarit në një mitropoli, dhe mitropoliti Joanikije bëhet mitropolit i Prizrenit, Novobërdës, Prishtinës, Pejës, Vuçitërnës, Gjakovës, Novi Pazarit, Tërgovishtit, Mitrovicës dhe kleri i rajonit duhet t’i nënshtrohet. Me berat i jepet mbrojtje mitropolitit për kryerje të papenguar të detyrave të tij. Shkruar më 4 sefer të vitit 1223 në Stamboll (1808).
Vërejtje: I konservuar.
Aktet tjera mbretërore në gjuhën turqishte të ruajtura në Deçan, kanë të bëjnë, në pjesën më të madhe të tyre, me vet kishën e Deçanit si dhe kushtet e rrethanat e veprimit të kësaj kishe. Ka dokumente që tregojnë obligimet e igumanit deçanas si sokollar, do të thotë si shahinxhi, shahindoganxhi, shahinkajaxhi, me çka i siguroi kishës së Deçanit privilegje të veçanta. Si sokollar, igumanët deçanas ishin nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të sulltanit, ndërsa tokat që kishin – pra pronat tokësore të kishës së Deçanit kanë qenë të liruara nga paga e të dhjetave dhe pagesave të tjera.
Nga fermanët e ruajtur të Deçanit del se berati i parë shahinxhi i është dhënë igumanit deçanas në vitin 1516, që është përsëritur në vitin 1543 dhe përsëri është vërtetuar në vitin 1565, për t’u dhënë edhe më tej vazhdimisht në vitet 1582, 1662, 1776 dhe në vitin 1778. Ndërkaq, në mes akteve të Deçanit është ruajtur edhe një vërtetim i lëshuar nga Sulltan Murati III në vitin 1574, ku bëhet fjalë për doganxhillëkun deçanas, që dëshmon për kryerjen e kësaj detyre të kishës së Deçanit për ç’gjë ka pasur privilegje nga qeveria turke që nga koha kur Deçani u pushtua nga turqit për herë të parë në vitin 1439-1444. Ligjet turke ishin të fuqizuara në atë mënyrë që çdo ndryshim në fronin mbretëror tërhiqte edhe përsëritjen e akteve mbretërore të lëshuara nga sulltani i mëparshëm, pasi që vlera e akteve mund të aplikohej vetëm gjatë sundimit të atij sulltani që lëshonte aktin (dokumentin).
Përmes fermaneve sulltani merrte nën mbrojtje kishën e Deçanit edhe nga pengesat që mund të shkaktonin organet lokale me rastin e rimeremetimit dhe ndërtimit të ndonjë muri të rrëzuar, të ndonjë konaku të kishës etj. Kështu igumani deçanas Danillo Kazhanegra në vitin 1778, u detyrua që të ankohej në Portën e Lartë për shkakun se policia lokale e pengonte të rindërtonte disa pjesë të ndërtesës së kishës. Përkitazi me këtë çështje, sulltan Abdullah Hamidi I e shkroi fermanin dhe ia drejtoi kadiut të Gjakovës duke e njoftuar atë që të vepronte sipas fermanit të mbretit dhe të mos i lejonte policinë që ta pengonin igumanin e Deçanit, që të rindërtonte pjesët e nevojshme të kishës.
Fermani i Sulltan Sylejmanit II të Madhërishëm (nga libri i M. Shakotës – Sulejman Veličan-Stveni) i vitit 1558, flet për përpjekjet e spahive vendas që donin të gërmonin themelin dhe vendin e truallit ku gjendet kisha e Deçanit për të kërkuar minierën e argjendit. Fermani i Sulltan Sylejmanit u dërgohet bejlerëve të Sanxhakut dhe kadiut të Pejës në emër të kallogjerëve të kishës së Deçanit, pasi që kallogjeri deçanas Toma kishte vajtur në Stamboll, në zyrën e mbretit dhe kishte deklaruar se spahiu Nuho Topçuogllu dëshiron të gërmojë themelet e kishës si dhe vendin nën altar për të vërtetuar gjendjen se a ka apo nuk ka xehe argjendi në truallin e kësaj kishe. Ky ferman (tregon) se si spahia Nuho Topçuogllu ka tentuar ta rrëzojë kishën duke këruar madenin (Xehen) e argjendit në themelet e altarit të kishës.
Përmes këtij fermani urdhërohet kadiu i Pejës që ta vërtetonte gjendjen se a gjendej xehja e argjendit këtu apo jo, ndërsa spahiut duhet penguar çasjet rreth këtij manastiri si dhe kërcënimet e fyerjet e mëtejme. Dokumenti është shkruar në Jedrene, sipas turqishtes, me datën 24 xhemazi-el-evela të vitit 965 (pra më 14. III. 1558). Në pjesën e sprasme të këtij dokumenti gjenden dy dorëshkrime të ndryshme në gjuhën serbishte me një alfabet cirilik mjaft të ndërlikuar. Për mes akteve zyrtare të sulltanit-fermanëve e beratëve-është mbrojtur edhe vet organizimi i kishës nga personat kishtarë që kanë vepruar kundër interesave të kishës. Ka ndodhur që kallogjeri i dërguar në “pisaniju” – zyrtarisht në detyrën kishtare, e ka keqperdorur besimin e igumanit dhe ndihmat e mbledhura për kishë i ka ndalë për veten e tij. Kështu ka vepruar kallogjeri Metodije në vitin 1776, i cili është ndjekur dhe arrestuar me urdhër të sulltanit, pasi që është vërtetuar se ky person është paraqitur si “mitropolit i rrejshëm” dhe i ka munduar fshatarësinë e vendbanimeve përreth kishës-rajen, siç quhej asokohe popullata e nënshtruar. Siç është thënë edhe këtu më parë, kallogjeri Metodije u transferua në manastirin Sv. Avramia në Sveti Gorë në vitin 1779.
Nuk përjashtohet mundësia që veprimtaria e këtij kallogjeri ka qenë e drejtuar kundër drejtoratit grek të kishës serbe, ashtu siç është shpjeguar ky ferman edhe nga J. S. Jastrebov. (Fermanin në fjalë Jastrebovi e radhitë në grupin e akteve –fermaneve që flasin për ndërprerjen – heqjen e patrikanave serbe). Që ky drejtorat e ka munduar popullatën dëshmon edhe fermani i vitit 1804, me të cilin akt mbrohet raja nga “zullumi” – dëmet, që bënin ndaj saj mitropoliti dhe episkopët grekë.
Në disa fermane bëhet fjalë për përvetësimin e paligjshëm të pronave tokësore të kishës nga banorët e fshatrave përreth, para se gjithash, banorët e fshatit Isniq, të cilët janë përpjekur t’i marrin pasuritë (tokat) e Bivolakut.
Buruldi e Abdurahmanit, Mytesarif i Dukagjinit
Bojë e zezë në letër, 46×32 cm
Shkruar në vitin 1801.
Signatura DK-305
Abdurahmani, mytesarif i Dukagjinit, lëshon këtë akt me të cilin mbrohet manastiri i Deçanit nga pagesa e taksës së gjakut për vrasjen në fshatin Bivolak dhe urdhëron myteselimin e Pejës që të bëjë përpjekje që isniqasit t’ia paguajnë obligimet e tyre manastirit të Deçanit. Shkruar me 5 xhemazi-el-evela të vitit 1215 (1801).
Në faqen e pasme, me dorën e Haxhi-Danilovit [serbishte e vjetër]
Vërjejtje: ngjyra e përlyer, letra e përlyer, e dëmtuar në palosje.
muaji i pestë i kalendarit islamik
Bivolaku që është përmendur edhe këtu edhe më parë, sipas Krisobulës së vitit 1330, ishte paralagje e vendbanimit mesjetar Isniq, asokohe me 9 shtëpi të vendosura në fushën më pjellore të trevës së Deçanit me rrethinë që sot i thonë Divolaçe. Aktet zyrtare të qeverisë turke – fermanet, beratet etj, që u trajtuan në këtë shqyrtim, në të shpeshtën e rasteve, i ka vendosur pushteti i kohës në leverdi të shoqërisë kishtare të Deçanit. Përmes këtyre fermanëve të pushtetit të lartë turk janë urdhëruar organet lokale të nahijeve, sanxhaqeve që t’i peshojnë drejtë problemet juridike dhe të vendoset në anën e atij që ka të drejtë sipas dëshmive, dokumenteve etj.
Një ferman tjetër po i vitit 1847 i drejtohet valiut të Shkupit, vezirit Hafis pasha si dhe kajmekamit të Sanxhakut të Prizrenit, Omer pashës si dhe Parisë së Pejës, sipas ankesës së Manastirit të Deçanit, se banorët: Sylejmani, Ahmeti, Mavsuti (Maksuti), Idrizi, Sadiku dhe Osmani, të fshatit Deçan kanë uzurpuar arat e manastirit “Bllovac” e “Daterler” që monahët i kanë qelë rrah dhe i kanë kthyer në tokë pune, “Si është e shkruar në libra që arat i përkasin kishës”, ndaloni pengesat e mëtejme të banorëve deçanas. Të njëjtit banorë deçanas që u cekën këtu më sipër përmenden edhe në një ferman tjetër, të po të njëjtit vit vetëm jo për “uzurpimin” e arave, por tani për “uzurpimin ” e vreshtave në të njëjtin fshat (Deçan).
Dorëshkrimi serbisht i monahëve deçanas (në shpinë të dokumenteve turke), edhe pse disa herë i pakuptueshëm për shkak të alfabetit të përzier me ndonjë fonemë rusisht ose greqisht, ka rëndësi për saktësinë e datave si dhe të përmbajtjes së tyre.
Është mjaft e qartë dhe karakteristikë e këtyre fermaneve e berateve të sulltanit se në shumicën e tyre jepet urdhër i prerë që të verifikohet gjendja në vendin e ngjarjes nga organet juridike lokale dhe e gjithë lënda të peshohet me kujdes dhe të vendoset drejtësia ligjore; fajtorët gjithsesi të pengohen. Fermani i vitit 1799 kërkon hetimin dhe sqarimin e gjendjes për kallogjerin Vasilije, të birin e Haxhi Radit nga Novi Pazari sepse, kinse ka vepruar kundër ligjeve fetare, ose siç thotë igumani Danillo në shkrimin serbisht në dokument “i ka bërë zullum-dëm kishës”. Derisa ky “zullum ndaj kishës” nuk është shpjeguar, ka ndodhur krejt ndryshe rasti me veprimin e kallogjerëve deçanas Ananija, Mihajli, Arsenija, Sarafija, Vignorija, Georgija dhe Sava, të cilët e kanë dëmtuar rëndë riznicën e Deçanit, duke bartur nga manastiri një barrë të plotë-ngarkesë “orendi të argjendta dhe mjete të tjera” në vitin 1648. Për këtë skandal e vjedhje që bënë kallogjerët në kishën e tyre, kadiu i rrethit të Altun-Ilisë, Mehmeti, u dërgon urdhëresë (emar) të gjitha organeve shtetërore që kallogjerët e përmendur këtu më sipër të kapen menjëherë dhe t’i dorëzohen kishës së Deçanit.
EMAR
Bojë e zezë, me vulë në fund, 21×25 cm.
Shkruar në vitin 1648.
Signatura DK-69.
Shkruar nga Mehmedi, kadi i rrethi Altun-Ilia. Në padinë e murgjve të manastirit të Deçanit se Ananije, Mihaili, Arsenije, Sarafije, Vignorije, Georgije e Sava kanë marrë nga manastiri gjesende të argjendta e të tjera ndoshta një ngarkesë dhe kanë ikur, urdhërohen të gjitha organet shtetërore që murgjit e përmendur të kapen e të dorëzohen manastirit. Nënshkruar nga katër dëshmitarë myslimanë, katër të krishterë dhe igumeni. Shkruar në muajin safer të vitit 1058 (1648).
Në faqen e pasme, me dorëshkrim të Haxhi Danilovit: (serbishte e vjetër)
Vërejtje: I konservuar.
Sipas këtij dokumenti mund të vërtetohet se çështja e kishës së Deçanit dhe zhvillimi i mëtejmë i veprimtarisë së saj fetare po kalonte nga organet mbretërore edhe në organet e pushtetit lokal, që pashallarët dhe valinjtë lëshonin dokumente –bujrulldi; mandej kadijtë e mytevelijtë gjithashtu jepnin urdhëresa dhe zbatonin ligjet e shtetit përmes dokumenteve zyrtare: huxhete, murasele, fetfa e deri te bejlerët e agallarët me dokumentet e tyre: izunet, teskeret, etj. Koleksioni i dokumenteve-burulldive-urdhëresave, i shpalljeve të valive, pashallarëve dhe myteserrifëve përkitazi me kishën e Deçanit është i pasur. Janë ruajtur 16 burulldi të tilla që mbronin interesat e kishës sonë nga dhunimet a keqpërdorimet e organeve lokale. Nëse burullditë nuk bënin efektin e duhur, atëherë kishtarët deçanas ankoheshin në pushtetin qendror të shkallës më të lartë në Stamboll. Si urdhërdhënës përmes burulldive kanë qenë të paraqitur pashallarët e Pejës, të Shkodrës, Gjakovës, Junikut (rrethi i Altun-Ilit), të Prizrenit dhe të Rumelisë si dhe myteserrifi (kryeshefi) i qarkut të Nishit. Kuptimi i këtyre dokumenteve ishte i orientuar kah mbrojtja e kishës dhe njerëzve të saj nga dëmet (zullumet), mandej kundër pengesave të pasurisë (tokave) të kishës që ndonjëherë pengonin spahijtë ose banorët e fshatrave të afërta, që përvetësonin tokën e punuar të kishës, kur pashai ndonjëherë hidhte anash të drejtat poseduese të kishës. Dy nga këto burulldi e mbrojnë kishën nga pagesa e tatimit, që kisha ka qenë me ligj e liruar nga tatimi.
BUJRULDI E MAHMUD-PASHËS SË GJAKOVËS
Bojë e zezë në letër, me kokrra rëre dhe vulë në fundm 42×29,2 cm.
Shkruar në vitin 1818.
Signatura DK-269.
Me lutjen e igumenit të Deçanit Mehmed (Mahmud) pasha emëron vojvodën e manastirit të Deçanit me detyrë për ta mbrojtur manastirin nga sulmet e fyerjet. Në vitin 1233 (1818).
Në faqen e pasme: 1818 (serbishte e vjetër)
Vërejtje: Letra e ruajtur mirë, e përlyer me bojë të derdhur.
Nuk është publikuar.