Kollari: Ndaj Ukrainës synojmë rezultat pozitiv
Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në Futboll U17, Besnik Kollari, ka thënë se djelmoshat e rinj të Kosovës janë gati për përballjen me Ukrainën.
Sipas tij, në këtë ndeshje nuk synohet vetëm paraqitje e mirë, por edhe rezultat pozitiv.
“Të gjitha ekipet me të cilat do të ballafaqohemi në këtë rreth janë jashtëzakonisht të forta dhe cilësore për faktin se janë kualifikuar për rrethin elitë. Mendoj se do të jenë ndeshje të forta e të vështira dhe kështu do të jetë edhe takimi me Ukrainën. Ne kemi punuar me përkushtim, në mënyrë që t’i kundërvihemi në mënyrën sa më të mirë dhe jo vetëm të kemi paraqitje të mirë, por edhe rezultat të mirë. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme dhe mbetet të shihet se çka do të na sjellin këto ndeshje”, ka thënë Kollari.
Ndeshja në mes të Kosovës dhe Ukrainës është e vlefshme për rrethin elitë dhe zhvillohet sot (e hënë) nga ora 11:00.