Kollçaku: Dështimet e ish-ministrave të punës dhe shëndetësisë, në kurriz të punëtorëve e pacientëve
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Fatmire Kollçaku, ka thënë se bilanci i punës së një qeverie bëhet nga këndvështrimi i qytetarëve nëse ka sjellë ndryshim cilësor në mirëqenien e tyre.
Ajo ka thënë se Ministria e Punës dhe ajo e Shëndetësisë këto dy vite qeverisje i kanë pasur si këto 20 vite.
“Padrejtësia te punëtorët tanë dhe te pacientët ka mbërritur kulmin. Premtuan se do të rrisnin pagën minimale, dështuan. Premtuan se do të bënin ligjin e ri të punës. Sipas tyre më të mirë e më të përshtatshëm. As nuk e hartuan të tillë e as nuk mbërritën ta finalizonin. Premtuan se do të rrisnin punësimin me programet e Ministrisë së Punës, dështuan”, ka deklaruar Kollçaku në një konferencë për medie.
Sipas saj, në vitin e kaluar në Kosovë janë 17 mijë vende pune më pak.
“Premtuan se do të bënin ligjin e veçantë për pushimin e Lehonisë, dështuan. E hoqën atë dhe nga Projekti i Ligjit të punës, gjë e papranueshme. Premtuan se do të rrisnin pagën minimale, dështuan. Askund nuk duket në horizont puna dhe vendimmarrja e Këshillit Social Ekonomik, e as dëshmia e vullnetit politik në këtë drejtim. Premtuan se do të marrin masa për sigurinë dhe shëndetin në punë. Dështuan. Inspektorati i punës është shumë larg standardeve për mbrojtjen e punëtorëve. Nuk ka ditë që nuk njoftohet për lëndimin apo edhe për humbjen e jetës së dikujt. Premtuan reformë të sistemit pensional, dështuan plotësisht. Asnjë lëvizje në atë drejtim. Premtuan buxhetimin e qëndrueshëm të strehimoreve për gratë, dështuan. Në fakt mashtruan. Premtuan se do të buxhetonin shtesat për fëmijët. Dështuan. Asnjë cent nuk ndanë për këtë vit e për vitet në vijim”, ka theksuar Kollçaku.
Më tutje ajo ka thënë se punëtoret në industrinë e shërbimeve dhe punëtorët në ndërtimtari, paguhen shumë pak e punojnë me orare të zgjatura, pa pushime të plota vjetore, pa sigurime shëndetësore, pa dy ditë në javë pushim dhe pa kontratë.
Nënkryetarja Kollçaku ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është një prej dështimeve më të mëdha të ish qeverisë.
“Së bashku me Ministrinë e Punës ata janë përgjegjës drejtpërdrejtë për cilësinë e jetës në këtë vend. Roli i ministrisë është drejtimi dhe hartimi i politikave që adresojnë krizën në shëndetësi. Por a e dini sa projektligje të reja i ka sjellë gjatë dy viteve të PANQeverisë ish-ministri i Shëndetësisë? Një për të mos thënë zero, sepse Ligji për transfuzionin e gjakut ishte nga mandati i kaluar dhe ishte i gatshëm. Thanë do ta bëjnë fondin e sigurimeve shëndetësore para se të bëhet protokollet e sistemi informative. Dështuan. Ngase as nuk bëhet dot ashtu, e as nuk dinin çka po deklaronin. Sot ne jemi pa sigurime shëndetësorë. 20 vite nga çlirimi”, ka theksuar Kollçaku.
Sipas saj, lajmi i vetëm i mirë në këto dy sektorë është se qeveria u rrëzua.
/Epoka e re/