Kolona të gjata veturash në hyrjet e Prishtinës
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga sot 12 prill, 2020 edhe komuna e Prishtinës do të futet në karantinë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ky vendim është nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, pasi mbrëmë (11 prill, 2020) janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me Covid-19 në mbarë Kosovën, prej të cilave 20 janë në Prishtinë.
Ministri Vitia ka bërë me dije se banorët të cilët ndodhen jashtë komunës së Prishtinës, kanë mundësinë të kthehen më së largu sot (12 prill), deri në ora 17:00.
Në zonën industriale Prishtinë – Fushë Kosovë, policia është duke i ndaluar veturat për të verifikuar nëse të gjithë personat që po presin të hyjnë janë banorë të Prishtinës ose jo.
Ndërsa në hyrje të lagjes “Veternik” tashmë ka filluar ta zbatohet masa e karantinimit.
Ndërkohë sot po ashtu pritet të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për medie, ku do të prezantohen masat e reja që do të ndërmerren. /Express/