Kolonat në pikëkalimin në Merdare po krijohen nga pala serbe
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi i shoqëruar edhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovë, Naim Rexha, kanë vizituar të mërkurën pikëkalimin kufitar në Merdare për të parë nga afër se si po zhvillohen punimet aty.
Ministri Gashi ka shprehur mirënjohjen për UNOPS-in për punën e vazhdueshme që janë duke e bërë në këtë pikëkalim, si një nga pikat më të frekuentuara momentalisht.
Ai ka thënë se kolonat në këtë pikëkalim vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa ka bërë me dije se probleme tek pala e Kosovës nuk ka.
Sipas ministrit Gashi në pikën e kontrollit të Kosovës pritjet për një veturë zgjasin 3 deri në 5 minuta.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Naim Rexha, janë takuar edhe me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
Në këtë takim ministri Gashi dhe kryetari Veliu kanë biseduar për çështjet që preokupojnë këtë komunë, ndërsa theks të veçantë i dhanë çështjes së rendit dhe sigurisë për qytetarët e Podujevës dhe shqetësimin për numrin e madh të aksidenteve që po ndodhin në rrugët e këtij rajoni dhe përkrahën krijimin e “Task Forcës” për siguri në komunikacion.
/Epoka e re/