Kolonë rreth pesë kilometra në Morinë për të hyrë në Kosovë – po kërkohet test PCR ose certifikatë vaksinimi
Që nga hyrja në fuqi të masave të reja, kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë ka vazhduar të mbingarkohet.
Një lexues i Telegrafit ka dërgur video në të cilën shihet kolonë e gjatë e automjeteve që presin për të hyrë Kosovë
Ai thotë se pritja shkon më shumë se një orë, ndërkaq kolona mund të jetë e gjatë deri në pesë kilometra.
Ndërkaq, sipas masave të reja kundër coronavirusit të miratuara nga Qeveria, personat që duan të hyjnë në Kosovë duhet që ta kenë një test negativ për COVID-19 ose certifikatën se e ka marrë njërën nga dozat e vaksinës anti-COVID.
Po ashtu, shtetasit e Kosovës, si dhe personat me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët hyjnë territorit të vendit, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë e përmendura më lartë, atëherë duhet të vetë-izolohen për shtatë ditë.
Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatese.
Ndërkohë pranë pikës së kalimit kufitar është vendosur një laborator për test të shpejtë me 25 euro.
Rregullat edhe për hyrje në Shqipëri.
Po ashtu nga data 6 shtator qytetarët që hyjnë në Shqipëri, nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto 3 kushte:
Të paraqesin pasaportën e vaksinimit të plotë, e cila duhet të jetë jo më e vonshme se 2 javë nga data e hyrjes në kufi.
Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve, ose testin e shpejtë (rapid) brenda 48 orëve, ose
Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars Cov2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Kjo është e vlefshme edhe për ata qytetarë që kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
Ndërka, qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen në vend dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.