Kolonel Lumni Graishta reagon ndaj deklaratës së Petrovcit: Pa luftën e UÇK-së të gjithë do të ishim kërkushi
Deklarata fyese e artistit, Enver Petrovci ka shkaktuar reagime të fuqishëm në opinionin publik, pas fjalëve të tij fyese dhe përçmuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Petrovci ka përdorë një gjuhë përçmuese ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se “këta të tjerët lufta i ka bërë të njohur”, duke shtuar se pa luftë do të ishin “do mësuesa e do badigarda”.
Ndaj kësaj deklarate të pamatur të Petrovcit, ka reaguar edhe ish-ushtari i UÇK-së, koloneli i Policisë së Kosovës, Lumni Graishta.
Graishta në reagimin e tij ka thënë se pa luftën e lavdishme të UÇK-së të gjithë ne do të ishim kërkushi.
“Pa luftën e lavdishme të UÇK-së të gjithë ne do të ishim kërkushi, por nuk ka meritë e nder më të madh sesa lufta për lirinë e atdheut. Kushdo që mendon se ka merita tjera më të mëdha, hallall i qofshin, le t’i mbaj të gjitha për veti.”, ka shkruar ndër tjera në reagimin e tij ish-ushtari i UÇK-së, Lumni Graishta.