Koloneli i FSK-së: Kosova s’ka qenë kurrë më e mbrojtur
Koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, deklaroi që Kosova s’ka qenë kurrë më e mbrojtur.
Në kuadër të diskutimit se ka ende rreziqe për sulme të mundshme nga Serbia, Veseli tha se ka informacione që institucionet e vendit, KFOR-i e NATO, kanë marrë masa në të gjithë territorin e Kosovës.
“Plani i Serbisë mbetet një mister. Por, institucionet e Kosovës, KFOR-i gjegjësisht NATO, unë e di që kanë marrë masat në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Qoftë në jug të vendit, qoftë nga kufiri i Merdarit, qoftë nga pjesa e Gollakut, është një shtrirje e organeve të sigurisë dhe është në vëzhgim. Kurdo që paraqitet një problem i tillë, institucionet e Kosovës, NATO dhe KFOR-I janë të gatshëm. Kosova kurrë s’ka qenë më e mbrojtur. Kur të duan le të fillojnë, ne jemi këtu”, potencoi Veseli në emisionin “Ditari”.
Po ashtu, Veseli tha se çdo tentativë nga ndonjë grup kriminal për ta prishur integritetin e Kosovës, do ta pësojnë “fiasko”.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës, është i sigurt. Prandaj, çdo tentativë për ta prishur këtë balancë, apo ta shkatërrojë ndonjë trazirë përmes ndonjë grupi kriminal terrorist, ato do të pësojnë fiasko. Kosova është mirë. E tash çka do të bëjë Serbia, a do të sulmojë, apo a do ta çojë ndonjë grup terrorist njësoj si më 24 shtator, këtë gjë saktë nuk e dimë. Informacionet e tilla janë ”, shtoi tutje Veseli në tëvë1.
Më tej, Veseli tha se ka gjasë që grupe të maskuara terroriste, veteranë të luftërave jashtë Serbisë, mund të tentojnë ta cenojnë sigurinë dhe territorin e Kosovës.
“Për përgatitjen e grupeve të ndryshme terroriste, të veteranëve të luftërave të shumta në Ish-Jugosllavi, të veteranëve të luftërave jashtë Serbisë, e sidomos të këtyre në luftën kundër popullit ukrainas, ata mund të vijnë në Serbi të mobilizohen me urdhra të shtetit, të maskuar si një grup i pavarur, kështu duke bërë ndonjë telashe dhe të cenojnë sigurinë dhe territorin e Kosovës. Por, sigurisht që sikur më 24 shtator, ata do të marrin përgjigje nga NATO-ja, KFOR-i dhe institucionet e Kosovës”, tha Veseli.
Ndërkaq, i pyetur se ka rrezik që Serbia të vazhdojë me të tilla skenare, Veseli vlerësoi që përderisa s’ka funksionim të rendit dhe ligjit në veri, atëherë më së shumti do të pësojnë qytetarët e nacionalitet serb.
“Lus Policinë e Kosovës që t’i rritë kapacitetet e saj personale në mbrojtje të atyre qytetarëve. Qytetarët e nacionalitetit serb të Veriut të Kosovës, duhet të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, duhet të japin informata, të tregojnë për keqbërësit, për gjithçka që ata planifikojnë e që rrezikohet jeta e tyre. Përderisa s’ka funksionim të rendit dhe ligjit në veri, atëherë më së shumti do të pësojnë qytetarët e nacionalitet serb”, tha Veseli.
Prandaj, Veseli tha se kur të ndalet ndikimi serb në veri, atëherë të gjithë qytetarët, pa përjashtimin e ndonjë nacionaliteti, do të jetojnë të lirë e të qetë.