Koloneli rus mbërrin në Holandë: Dua të dëshmoj në Hagë
Ai u shfaq një javë para Krishtlindjeve në aeroportin Schipol të Amsterdamit me fluturimin KLM 598 nga Cape Town, me qëllimin për të dëshmuar në Hagë për krimet ruse të luftës.
Ka shumë agjitacion midis ekspertëve të inteligjencës për rastin Igor Salikov.
Ky 60-vjeçar pretendon se është një ish-kolonel rus i GRU-së dhe ish-anëtar i grupit paraushtarak Wagner që luftoi në Ukrainë dhe që atëherë ka dezertuar duke pretenduar se ka qenë dëshmitar i krimeve të luftës dhe rrëmbimeve të fëmijëve.
Salikov, ish-kreu i Departamentit të 4-të të Drejtorisë së Operacioneve Speciale të të ashtuquajturës “Prokuroria e Përgjithshme e DNR” u bë instruktor i lartë në Wagner në 2017, më pas u transferua në Siri dhe u kthye në Ukrainë në shkurt 2022.
Një javë para mbërritjes së tij, Igor shkroi një deklaratë nën betim të datës 10 dhjetor 2023 drejtuar prokurorit të ICC Karim Khan, mbledhur nga Gulagu, një grup që pretendon se ndihmon dhe mbështet dezertorët rusë.
Salikov nuk i kërkon gjykatës imunitet në këmbim të dëshmisë së tij dhe ka shkruar një libër me titull “Jo luftë!” për luftën në Donbass në 2014-15 dhe tani po shkruan një të dytë për Wagner.
I intervistuar nga transmetuesi publik holandez “NPO1”, ai deklaroi: Kam parë mizori kundër civilëve.
Duke shtuar se kishte parë të burgosur të luftës të keqtrajtuar dhe ekzekutuar dhe fëmijë të rrëmbyer, ai tha se ka parë njerëz nga shërbimet sekrete duke marrë një numër të madh fëmijësh pa prindër përtej kufirit në Bjellorusi.
Salikov gjithashtu pretendon se ata që kanë kryer këto krime të supozuara të luftës e kanë bërë këtë me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, por edhe me urdhër të drejtpërdrejtë nga zyra e presidentit Vladimir Putin.
Fjalë të cilat, nëse konfirmohen, mund ta shndërrojnë atë në një dëshmitar kyç para Gjykatës Penale në Hagë.
Në mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar kundër Putinit për transferimin me forcë të fëmijëve në Rusi pas pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.
Në të njëjtën kohë, Kievi dhe shumë nga aleatët e tij perëndimorë kanë shtyrë për krijimin e një gjykate për të hetuar “krimin e agresionit” të kryer nga Rusia gjatë luftës.
Salikov pretendon se ai u largua nga forcat ruse pasi refuzoi urdhrat për të ekzekutuar civilë dhe tani dëshiron të raportojë atë që pa në Gjykatën Penale Ndërkombëtare sepse ai “ka humbur besimin në kauzën ruse”.
Më pas, ish-oficeri i GRU-së thotë se ka arritur të largohet nga Rusia në qershor 2022 së bashku me familjen e tij dhe se është vendosur për një periudhë të caktuar në Qipro.
Më pas ai ka ikur në Holandë, përmes Serbisë dhe vendeve të tjera, deri dje kur ka zbritur në aeroportin Schiphol në Amsterdam.
Për momentin nuk dihet se ku ndodhet saktësisht Salikov, duke qenë se ai është arrestuar nga policia në aeroport dhe nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale është njoftuar për kërkesën e tij.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, ka pasur disa raste të ushtarëve që ikën nga Rusia, duke demonstruar hezitimin e tyre për të marrë pjesë në agresion dhe gatishmërinë për të dëshmuar për krimet e luftës.
Për shembull, gjatë vitit 2023, Dmitry Mishov, një pilot i Forcave Ajrore Ruse, dhe Ivan Korolyov, një toger rus, mbërritën në Lituani dhe kërkuan azil politik.
Dimrin e kaluar, Andrei Medvedev, ish-komandant i Grupit Wagner, iku në Norvegji, por më vonë ndryshoi mendje dhe tha se donte të kthehej në Rusi.
Profilet duhet të shqyrtohen me shumë kujdes, veçanërisht në dritën e fushatave të infiltrimit dhe spiunazhit të kryera nga Moska në Perëndim.
Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post.