Kolosi i shqiptarizmës
Nga: Daut Dauti
Regjimi komunist e krijoi ‘shqiptarin’ që mahnitej nga kultura sllave dhe u orientua për të shpërndarë urrejtje për ‘pushtimin turk’ që kishte përfunduar dhe nga i cili më nuk kishte asnjë rrezik. Kjo u bë me qëllim që e kaluara të mbahej gjallë dhe të harrohej e tashmja. Ky nuk ishte qëndrimi i Fishtës dhe i asnjë intelektuali shqiptar të deri atëhershëm.
“Intelektuali” i ri shqiptar, i krijuar në kornizën pan-sllave, e shpalli Fishtën armik. Intelektualit kryesor ia ndaloi veprat dhe e cilësoi si “poet minor klerik”. Janë ende gjallë “intelektualët” që e kanë sharë e poshtëruar Fishtën, kolosin e shqiptarizmës. Madje, shumë edhe përbetohen në emrin e këtyre “intelektualëve”.
Tragjedia kombëtare që ka ndodhur me Fishtën, vazhdon ende. Fishta nuk është prezent askund dhe injorimi ndaj tij vazhdon. Injorimi i Fishtës bënë me dije për një gjë: Derisa Fishta nuk kthehet aty ku e ka vendin, pan-sllavizmi rri këmbëkryq te shqiptarët.