Kolumnisti serb: Në shkolla mësojmë se shqiptarët janë fis i egër, mes kafshës dhe njeriut – pse të jetojnë ata me neve?

10 shkurt 2023 | 12:21

Dejan Iliq, kolumnisti i OJQ-së me bazë në Beograd “Pescanik”, me rastin e 100-ditëshit të punës së qeverisë serbe, ka thënë se në këtë vend “nuk ka as qeveri, as institucione, as asgjë”.

Sa i përket deklaratës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq se 100 ditët e qeverisjes, kanë kaluar nën hijen e tensioneve në Kosovë, ai ka thënë se “ne kemi 30 vjet që jetojmë nën hijen e tensioneve në Kosovë, çfarë 100 ditë të zeza”.

Në televizionin “N1”, ai ka thënë se beson që serbët në Kosovë duhet të përpiqen të jetojnë vetëm, duke shtuar se “ne duhet të merremi me veten”.

“Ndoshta serbët në Kosovë duhet të çlirohen nga Beogradi dhe jo nga Prishtina”, ka thënë ai.

Iliq i është referuar edhe situatës në Kosovë, duke thënë se “në shkolla u mësojmë fëmijëve se shqiptarët janë një fis i egër, njëfarë mesi mes kafshëve dhe njerëzve dhe tani këta njerëz duhet të jetojnë me ne, pse të jetojnë me ne?”.

“Thoni atyre njerëzve të përpiqen të jetojnë vetëm dhe ne duhet të merremi me veten”, ka thënë ai.

Kolumnisti serb ka theksuar se presidenti Aleksandër Vuçiq udhëheq Serbinë dhe se shumë gjëra këtu varen nga ai, sepse sipas tij Vuçiqi e ka themeluar një sistem të tillë dhe ai “për 11 vjet i shmanget çdo detyrimi, jeton jashtë krizës, krijon spektakle të ndryshme që asgjë të mos zgjidhet”.

“Në momentin që zgjidh krizën, ai është i radhës që zgjidhet”, ka vlerësuar, duke shtuar se Vuçiqi është në vendin ku është pikërisht falë atyre krizave.

Iliq, i pyetur nëse Vuçiqi e ka pranuar planin e ri evropian, ka thënë se “i çuditur i shikon bisedimet për atë marrëveshje”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Benjamin Pavard qëndroi te Bayern Munchen edhe pse kishte oferta…