Komandant ‘Çeliku’ reagon pas dënimit të Salih Mustafës
Lideri i Nismës Socialdemokrate dhe ish-komandant “Çeliku”, Fatmir Limaj, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Limaj ka thënë se qysh në fillim kanë qenë kundër kësaj gjykate, por pavarësisht kësaj ka theksuar se “presim që drejtësia e mohuar në shkallën e parë ndaj komandant ‘Calit’, të vihet në vend në shkallën e Apelit”.
“Nisma Socialdemokrate në kohën e duhur ka tërheqë vëmendjen se kjo nuk është rruga e duhur për të trajtuar drejt krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë! Nisma Socialdemokrate gjatë kohës kur diskutohej në Kuvend të Kosovës themelimi i kësaj gjykate ka qenë kundër themelimit të saj për arsye se ishte gjykatë e njëanshme, një etnike dhe si e tillë nuk mund të pritej që do t’i shërbejë drejtësisë. Fatkeqësisht, dënimi i sotëm i shqiptuar ndaj komandant ‘Calit’ edhe një herë konfirmoi se shqetësimet tona të shprehura gjatë kohës kur diskutohej dhe vendosej për themelimin e kësaj gjykate ishin të drejta! Presim që drejtësia e mohuar në shkallën e parë ndaj komandant ‘Calit’, të vihet në vend në shkallën e Apelit”, citohet të këtë thënë Limaj.