Komandant Luani intervistohet nga Gjykata Speciale
Komandanti i Batalionit të II-të të Brigadës 121 Kumanova, Ramiz Qeriqi i njohur me nofkën e luftës si komandant Luani është intervistuar sot nga Gjykata Speciale.
Qeriqi ishte ftuar nga Gjykata Speciale këtë muaj në cilësinë e të dyshuarit. Atij, këtë muaj i është bërë ftesë nga Gjykata Speciale dhe i është kërkuar t’i dorëzoj të gjitha dokumentet që posedon nga koha kur ka shërbyer si komandant.
Ai ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe kundër okupimit dhe se këtë do ta dëshmojë edhe në Gjykatën Speciale.
“Ky procesi të cilin vet Qeveria jonë e ka nënshkruar për dyshimet që dyshojnë që ka qenë një luftë e parregullt, unë mendoj që nuk është keq. Për UÇK-në është mirë se ne do të shkojmë t’i zbardhin disa çështje që ata dyshojnë se UÇK-ja ka bërë një luftë jo të drejt. Sidomos për mua personalisht jam shumë i nderuar që shkoj sot dhe dëshmoj për luftën sepse duke thënë të vërtetën do ta mbroj luftën që ka bërë UÇK-ja”, ka thënë Qeriqi.
Më tutje, ai ka thënë se në mungesë të pasaportës intervistimi i tij është bërë në Prishtinë.
Qeriqi ka thënë se janë serbët ata të cilët kanë marrë pjesë në luftë dhe që duhet të gjykohen, sepse sipas tij ata kanë kryer krime dhe gjenocid në Kosovë.
Komandant Luani ka pohuar se ka qenë ndër komandantët e rrallë në front.
Ramiz Qeriqi i cili kohë më parë ka dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës, ka thënë se sikur atëherë edhe në Gjykatën Speciale do ta thotë të vërtetën përmes të cilës bota do ta marrë vesh se lufta e UÇK-së ishte e drejt. /KosovaPress/