Komandanti i FSK-së, pjesë e konferencës vjetore të ushtrisë amerikane
Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, nga data 19 e deri më sot, ka marrë pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga ushtria amerikane për Evropë, që është mbajtur në Garmish të Gjermanisë.
Qëllimi i mbajtjes së kësaj konference është thellimi i bashkëpunimit në Programin e Partneritetit Ndërshtetëror.
Bashkëpunimi në mes të Kosovës, përkatësisht FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, është modeli më i mirë që tregon se si në një periudhë të shkurtër mund të arrihet progres në të gjitha nivelet e zhvillimit profesional të një force.
Sipas komunikatës së FSK-së, Rama gjatë kësaj konference ka takuar shumë liderë dhe shefa të mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të vendeve Baltike dhe përfaqësues të EUCOM-it.
Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneral majori Timothy Orr, në forumin e Ballkanit Perëndimor, kanë diskutuar edhe lidhur me mundësitë dhe planet për të ardhmen në kuadër të zgjerimit dhe thellimit të aktiviteteve, përfshirë qasjen rajonale, ndërtimin e aftësive dhe trajnimet e përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Konferenca vjetore e organizuar nga ushtria amerikane për Evropë i ka përfunduar sot punimet.
/Epoka e re/