Komandanti i FSK-së pjesë e takimit vjetor të shefave të mbrojtjes në Gjermani
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka marrë pjesë në takimin vjetor të shefave të mbrojtjes në Wiesbaden të Gjermanisë.
Në këtë konferencë morën pjesë shefat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe shteteve partnere.
Konferenca vjetore e shefave të mbrojtjes, e cila u organizua nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë, kishte për tematikë luftën kundër organizatave ekstremiste të dhunshme.
Në njërën prej seancave të konferencës ka folur edhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, i cili u fokusua në qasjen gjithëpërfshirëse të Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, progresin e saj në parandalimin e këtij fenomeni si dhe vendosjen e një baze ligjore të aplikueshme që rregullon çështjen e pjesëmarrjes së shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja.
Gjeneral Rama gjatë qëndrimit në Wiesbaden u takua edhe me gjeneralin Curtis M. Scaparrotti, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe përmbajtësore të cilën Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë po e jep për mbështetjen për Republikën e Kosovës, rajonin e Ballkanit në përgjithësi e veçanërisht në ngritjen profesionale të FSK-së.