Komandanti i FSK-së: Jemi të gatshëm të dërgojmë trupa dhe pajisje shtesë në Shqipëri
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka konfirmuar se FSK-ja ka dërguar ushtarë në Shqipëri për t’ju dalë në ndihmë lidhur me tërmetin që ka tronditur vendin mëngjesin e sotëm.
Gjenerallejtënant Rama ka thënë se nëse është nevoja FSK-ja është e gatshme të përkrah Shqipërinë edhe me trupa e pajisje shtesë.
“Qysh ne mëngjes herët ne jemi në kontakt me autoritetet e Shqipërisë atje, por edhe me Ushtrinë e Shqipërisë dhe kemi marrë informacion se gjendja është alarmante për shkak të dridhjes së tokës që ka ndodhur ne Shqipëri dhe bazuar në kërkesën e tyre që e kanë drejtuar drejt nesh i kemi nisur trupat tanë. I kemi nisur njësitë e kërkim-shpëtimit urban që janë të specializuara dhe të pajisura mirë duke marrë për bazë edhe njësinë me “K9” ose me qenë që janë të specializuar për kërkim urban nën gërmadha por i kanë edhe pajisjet tjera. Normalisht ne pas vlerësimit të situatës të trupave tonë atje nëse është nevoja ne jemi të gatshëm t’i përkrahim edhe me trupa shtesë dhe pajisje shtesë, varësisht prej nevojës dhe situatës atje”, ka thënë Rama.