Komandanti i FSK-së mori pjesë në konferencën e shefave të Mbrojtjes në Gjermani
Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, mori pjesë në Konferencën e 27-të vjetore të shefave të Mbrojtjes, e cila u mbajt në Wiesbaden të Gjermanisë nga data 23-25 tetor 2019.
Në këtë konferencë morën pjesë mbi 37 shefa të Mbrojtjes të shteteve evropiane, anëtare të NATO-s dhe shtete partnere të Kosovës.
Konferenca e Shefave të Mbrojtjes u organizua nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe kishte për tematikë “Gatishmërinë Strategjike”, në kontekst të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së gatishmërisë kolektive bazuar në sfidat aktuale të sigurisë në botë.
Po ashtu temë e kësaj konference ishte edhe ndërveprimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s si dhe aftësia për t’u adaptuar ndaj sfidave të sigurisë.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjatë konferencës zhvilloi takime me shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane gjeneralin James McConville dhe komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë, gjenerallejtënant Christopher Cavoli, si dhe me homologë të shumtë të shteteve mike.
Komandanti i FSK-së, ndër të tjera në këtë konferencë ka thënë: “FSK-ja mbetet e përkushtuar në ndërtimin e aftësive të reja mbrojtëse sipas planit të tranzicionit, në mbështetje të plotë të partnerëve strategjikë, si dhe mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve në të gjitha fushat me qëllim të ndërveprimit me partnerët strategjikë dhe me shtetet tjera partnere”.
/Epoka e re/