Komandanti i FSK-së për vizitë në Amerikë, takon senatoren Joni Ernst
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama është duke zhvilluar vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vazhdën e vizitës së tij në Uashington, DC, gjeneral Rama ka takuar anëtaren e Komitetit të Forcave të Armatosura në Senatin e ShBA-së, senatoren Joni Ernst.
Rama e ka falënderuar Ernst për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ShBA-së për Kosovën e FSK-në.
Në veçanti ai e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë për procesin e tranzicionit dhe zbarkimin e trupave të FSK-së në Kuvajt.
Gjithashtu, në këtë takim, gjeneral Rama njoftoi senatoren Ernst për zhvillimin dhe të arriturat e FSK-së.
Pasi që senatorja prejardhjen ka nga shteti i Iowa-s, së bashku biseduan edhe për bashkëpunimin mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s për mundësitë e rritjes të këtij bashkëpunimi.