Komandanti i FSK-së pjesë e ceremonisë së ndërrimit të komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta në ShBA
Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), dje për herë të parë mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta, që është mbajtur në bazën e përbashkët të ushtrisë amerikane “Myer-Henderson Hall” në Uashington.
Gjatë kësaj ceremonie gjeneral Rama e uroi personalisht gjeneralin Milley, të cilit i dëshiroi suksese në mandatin e tij katërvjeçar dhe i shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-ve në zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së.
Pozita e shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta konsiderohet pozita me e lartë në strukturën e ushtrisë amerikane, ku gjeneral Mark Milley do të jetë këshilltari më i lartë i Presidentit të ShBA-ve, Sekretarit të Mbrojtjes dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për çështje që ndërlidhen me sigurinë kombëtare të ShBA-ve.
Gjenerali Mark A. Milley është emëruar shefi i 20-të i Shtabit të Forcave të Përbashkëta, duke e zëvendësuar gjeneralin Joseph Dunford, i cili për katër vjet ka qëndruar në këtë pozicion mjaft të rëndësishëm.
/Epoka e re/