Komandanti i FSK-së qëndroi për vizitë zyrtare në Itali

19 mars 2021 | 13:57

Me ftesë zyrtare të homologut të tij, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ishte në vizitë zyrtare katërditore në Republikën e Italisë.

Me këtë rast, me nderimet më të larta ushtarake, ai u pritë nga autoritetet më të larta ushtarake italiane.
Në takimet përkatëse u diskutua për format e implementimit të planit të veprimit në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të dy forcave.

Nga ana e tij, gjeneral Rama ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të shtetit dhe forcave italiane për rolin e tyre të madh në kuadër të misionit të KFOR-it në përgjithësi si dhe për kontributin e madh për ndërtimin, zhvillimin dhe të arriturat e deritashme të FSK-së në veçanti.

Gjithashtu, gjeneral Rama në këtë vizitë përfaqësuesit italianë i ka njoftuar me progresin e FSK-së në realizimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, kapaciteteve aktuale dhe ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar nevojën dhe rëndësinë e mbështetjes nga pala italiane në këtë aspekt.

Me këtë rast ai ka theksuar objektivin strategjik për të ndërtuar forcat tona sipas standardeve më të avancuara dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve të NATO-s, për të qenë kompatibile për operacione të përbashkëta paqeruajtëse.

Nga ana e autoriteteve italiane u vlerësuan lartë të arriturat e deritashme të FSK-së si forcë profesionale në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

Në fund të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi në mes të dy forcave të thellohet dhe intensifikohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje e…