Komandanti i FSK-së, vizitë zyrtare në shtabin suprem të forcave aleate të Evropës
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Forcave Aleate të Europës (ShAPE) në Mons të Belgjikës, ku është takuar me komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneralin Tod Wolters.
Me këtë rast, gjenerallejtënant Rama ka falënderuar gjeneralin Wolters për angazhimin e trupave të NATO-s në kuadër të misionit të KFOR-it në funksion të sigurisë së përgjithshme në Kosovë si dhe mbështetjes së vazhdueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për kontributin dhe angazhimin e Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së në të gjitha aspektet.
Më tutje, Rama e ka njoftuar gjeneralin Wolters për të arriturat e gjithëmbarshme të FSK-së, procesin e tranzicionit, si dhe shkallën e ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së.
Në këtë drejtim, gjenerallejtënant Rama, ka theksuar se të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së janë duke u zhvilluar sipas standardeve te NATO-s në mënyrë që të jenë të ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të NATO-s.
Ndërlidhur me këtë fakt, Rama i ka shprehur gjeneralit Wolters, gatishmërinë për ofrimin e kapaciteteve të FSK-së për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse të Aleancës për të dhënë kontributin e saj në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së përgjithshme.
Ndërsa gjenerali Wolters ka përgëzuar Ramën si dhe i ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe kontributin e saj në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm në vend dhe rajon.
Ai ka riktheksuar përkushtimin e NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, njofton Klan Kosova. Të dy gjeneralët kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë të NATO-s përmes kapaciteteve të KFOR-it dhe mekanizmave tjerë të NATO-s me FSK-në përmes shkëmbimit të përvojave.